Banorë të Lezhës, vrasje në Pukë, shpallet në kërkim autori i dyshuar Maltin alias Anton Gjini
36 vjeçari Maltin alias Anton Gjini është shpallur në kërkim nga Policia si autori i vrasjes së 44 vjeçarit Pjetër Kola. Të dy janë banorë të Lezhës, ndërsa mbeten të paqarta motivet pse ata u konfliktuan në Pukë ku edhe ndodhi krimi
Maltin alias Anton Gjini, 36 vjeç, nga Lezha është shpallur në kërkim si autori i dyshuar i vrasjes së 44 vjeçarit Pjetër Kola, që po shihni në këtë foto, po ashtu banor i Lezhës.
Ngjarja e rëndë u shënua Kaftallë të Pukës, pasditen e së martës.
Teksa mbeten të paqarta arsyet që i çuan i atje, mësohet Gjini e Kola se ata janë përfshirë fillimisht në një konflikt verbal, shkaqet e të cilit nuk bëhen të ditura.
Debatet përshkallëzuan në përdorimin e armës së zjarrit.
36 vjeçari me dy identitete ka qëlluar me një plumb në bark Pjetër Kolën, duke e lënë të plagosur rëndë.
Ky I fundit u dërgua nga i vëllai, fillimisht në qendrën shëndetësore të Vaut të Dejës dhe më pas në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Aty iu nënshtrua një ndërhyrje, por nuk i mbijetoi plagës dhe ndërroi jetë.
Ka qenë pikërisht vëllai i Pjetër Kolës ai që i ka dhënë policisë emrin e Maltin Gjinit i cili pas ngjarjes është larguar.
Kontrollet e para të policisë për ta vënë në pranga dështuan.
Edhe për shkak të afërsisë me kufirin, dyshimet janë 36 vjeçari mund të ketë dalë nga Shqipëria drejt Kosovës ose Malit të Zi.
Prokuroria po heton disa pista e mundshme për vrasjen por dyshimet janë për një konflikt mes viktimës dhe autorit.
Ndërkohë Policia thotë se krahas punës për kapjen e 36 vjeçarit Maltin Gjini, të identifikuar si autor i dyshuar, po hetohet edhe për persona të tjerë të pëfshirë në vrasjen e 44 vjeçarit në Pukë.