Vrasja e babë e bir në Elbasan, Çapjat dhe Klajdi Dokoli kërkojnë pafajësi në GJKKO
Është zhvilluar seanca e radhës ndaj 6 të pandehurve që akuzohen për vrasjen në bashkëpunim ndaj babë e bir në Elbasan, Gentian dhe Nezir Beqiri.
Në seacën e djeshme gjyqësore avokatët mbrojtës të pandehurve, kanë lexuar konkluzjonet përfundimtare, duke i kërkuar gjykatës, deklarimin e pafajshëm të tyre.
Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Klajdi Dokoli, i kërkuar trupit gjykues që të deklarohen të pafajshëm, pasi sipas tyre nuk ka asnjë provë që i implikon ata në ngjarjen e 15 Gushtit 2012 të ndodhur në qytetin e Elbasanit.
Në konkluzionet e avokatëve, tre të pandehurit e këtij procesi kanë ngritur pretendime dhe evidentuar fakte që nuk kanë qënë në Elbasan, ditën kur ka ndodhur krimi.
Sipas tyre vetëm një provë e vetme, siç është dëshmia e bashkëpuntorit të prokurorisë, nuk mund të bëhet shkak për dënimin e personave të proceduar.
Ndërkohë seanca është shtyrë për javën e ardhshme, pasi vetë i pandehuri Ardjan Çapja, ka kërkuar të flasë para gjykatës për të shpalosur personalisht mbrojtjen e tij.
Ende pa lexuar konkluzjonet përfundimtare janë dhe dy të pandehurit Etien Cani dhe Olsi Leku.
Pas përfundimit të konkluzjoneve treshja e gjyqtarëve Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Erjon Bani, do vendosin nëse do dënojnë ose jo 6 të pandehurit e prokurorisë së Posaçme SPAK.
Në pretencën e tij të lexuar disa seanca më parë, prokurori Behar Dibra, kërkoi, deklarimin fajtor dhe dënimin me burg përjetë të Ardjan Çapjas. Me 25 vite burgim kërkoi dënim për të pandehurin, Florenc Çapja.
Më konkretisht, SPAK ka kërkuar burg përjetë edhe për Olsi Leku, ekzekutuesin e planit, 20 vjet burg për Klajdi Dokolin dhe Etien Cani.
Ervis Bardhi, i cili ka qenë ai që zbardhi të gjithë ngjarjen dhe u bë bashkëpunëtor i prokurorisë është “falur” nga SPAK, që për të kërkon vetëm 6 vite burg.