Vrasja e 16-vjeçarit në Gramsh, policia: 4 të arrestuar. Shkolla: Fationi hyri për të shuar konfliktin, por ngeli viktimë vetë
Gramshi u trondit dje nga një ngjarje e rëndë, ku një 16-vjeçar u vra me thikë, ndërsa u plagos kushëriri i tij.
Ndërkaq mëngjesin e sotëm policia e Elbasanit ka reaguar për vrasjen e Fation Bicit, ngjarje që ndodhi vetëm pak minuta pas kishte mbaruar mësimin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, Pasurisë të miturve dhe Dhunës në Familje të DVP Elbasan, në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Xh. Ç., 15 vjeç, O. Ç, 14 vjeç, E. K., 15 vjeç dhe S. M., 16 vjeç.
Më datë 16.05.2023, rreth orës 13:30, këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në lagjen "Sporti 2", Gramsh, në rrugë, kanë plagosur me mjete prerëse (thika), shtetasit e mitur F. B., 16 vjeç dhe M. L., 15 vjeç. Nga dëmtimet e marra, shtetasi F. B. ka humbur jetën, ndërsa shtetasi M. L. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 mjete prerës (thika), 2 përforcues grushti dhe 5 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, thekson policia e Shtetit në njoftimin e saj.
Po sot shkolla 9-vjeçare ku Fationi ishte nxënës ka bërë një reagim në lidhje me humbjen e papritur të adoleshentit.
Në reagim thuhet se 15-vjeçari u gjend rastësisht në atë konflikt, që kishte ndërhyrë për të shuar ‘zjarrin’, por ngeli viktimë vetë.
“Jemi thellësisht të tronditur, nga ngjarja e rendë që ndodhi sot në qytetin tonë, në të cilën humbi jetën Fationi, nxënës në klasën e IX.
Fationi mbaroi mësimin, si çdo ditë tjetër, u interesua duke pyetur rojën e shkollës, se a ishte larguar nga shkolla motra e tij më e vogël, nxënëse në klasën e IV, e pasi u sigurua se ajo ishte larguar, u nis për në shtëpi.
Në mes të lagjes, në mes të ditës, moshatarë të tij, nxënës edhe këta nga shkolla e fshatit Drize, konfliktuohen për biseda banale në rrjetet sociale dhe konflikti kthehet në tragjedi…
Fationi u ndodh rastësisht aty, duke mos qenë ai pjesë e konfliktit në rrjetet sociale, por një i afërmi i tij.
Ai u përpoq t’i ndante në grindje e sipër, por përfundoi viktima e këtij sherri banal. Fationi u nis sot drejt Parajsës…
Do na mungosh të gjithëve, Fation i dashur! Të qoftë dheu i lehte, o engjëll”, shkruhet në reagim.