Vlorë/ Shoferët e autobusëve interurbanë kanë vendosur të pezullojnë transportin

Vlorë/ Shoferët e autobusëve interurbanë  kanë vendosur

Këtë të hënë, shoferët e transportit interurban dhe ndërkombëtar në Vlorë kanë pezulluar sërish udhëtimet, duke kundërshtuar vendqëndrimin e ri që u është caktuar nga bashkia në hyrje të Vlorës.

Ata shprehen se hapësira e përcaktuar nuk plotëson kushtet e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit dhe krijon vështirësi si për drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe për pasagjerët.

“Sot jemi mbledhur këtu për stacionin që na ka kaluar Bashkia në miratim, stacioni i ri këtu tek Kastrati, rruga që lidhet me burgun. Ne nuk jemi dakord dhe nuk kemi bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë, siç thonë ata, se kemi rënë dakord me autobuzat. Këtu nuk plotësohet asnjë kusht; qytetarët janë të rrezikuar, shoferët janë të rrezikuar, nuk ka kushtet minimale, nuk kemi ku të qëndrojmë, nuk kemi ku të vendosim një biletari. Nëse ndërtohet terminali dhe plotësohen kushtet, atë po e kërkojmë, sepse terminali është për autobuzat. Nuk jemi për të qëndruar në rrugë; këtu na rrezikohet jeta. Pirateria ka rritur udhëtimin pa licencë nga 5% në 95% për pasagjerët që dërgohen në Tiranë. Do të vazhdojmë të pezullojmë punën, ashtu si e kemi pezulluar edhe sot, sepse nuk ka zgjidhje tjetër për këtë fenomen,” është shprehur Françesk Jonuzaj, Përfaqësues i Shoqërisë Interurbane.

Sipas shoferëve, kërkesa kryesore është një vend i përshtatshëm me të gjitha kushtet bazë të infrastrukturës, deri në ndërtimin e një terminali të mirëfilltë për transportin e udhëtarëve. Për shkak të kësaj situate, një pjesë e linjave kanë ndërprerë përkohësisht shërbimin, duke shkaktuar shqetësime te qytetarët që udhëtojnë drejt dhe nga Vlora.

EMISIONET