VIDEO/ Tritol në kuti lëngje frutash, Ja momentet kur arrestohen trafikantët

Këto janë pamjet nga operacioni i forcave shqiptare të rendit dhe FSK-së, ku u godit një grup i cili kryente transportin e lëndëve eksplozive nga Kosova drejt Shqipërisë.

Si pasojë e operacionit u arrestuan tre persona dhe dy të tjerë janë ende në kërkim.

Nga pamjet e publikuara nga policia, shihet se si trafikantët e kishin fshehur eksplozivin në kutitë e lëngjeve të frutave, në përpjekje për t’i kamufluar.

Drejtori i Policisë Tiranë Tonin Vocaj, zbuloi se në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 203 kallëpe tritol me peshë 46 kilogram e destinuar të përdorej nga grupe të ndryshme kriminale.

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, i DVP Tiranë, pas një pune hetimore 4-mujore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Si rezultat i mirorganizmit të punës në kuadër të operacionit policor të koduar “THE SAME”, më datë 04.02.2024, në afërsi të urës së Gjolës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan.

Në kuadër të këtij hetimi, u shpallën në kërkim edhe 2 shtetas kosovarë. Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasësë të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg”, tha kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat.

EMISIONET