VEZË E THIRRJE KUNDËR DEPUTETËVE/ Qytetarë e aktivistë “breshëri” ndaj ligjvënësve pa dallime politike
Dita e 51-të e protestës së pandërprerë në Tiranë nisi para Kuvendit, i cili këtë të hënë u mblodh në atë që mund të jetë seanca e parafundit para se deputetët të marrin pushimet e verës.
Disa orë para mbërritjes së ligjvënësve, aktivistë dhe qytetarë treguan kutitë me vezë, ndërsa policia mori masa të rrepta sigurie, që përfshinin edhe vendosjen e makinës ujëhedhëse për çdo situatë që mund të krijohej.
Deputetët e mazhorancës dhe anëtarët e qeverisë që hynë nga hyrja qendrore u përballën me breshëri vezësh dhe shishe uji.
Në shumicë, deputetët zgjodhën të futen në Kuvend përmes Pedonales, ku ishin jashtë rrezes së vezëve, por jo të thirrjeve kundër tyre.
Hyrjen qendrore e shmangën edhe përfaqësuesit e opozitës, të cilët nën drejtimin e Sali Berishës u rikthyen në Kuvend pas bojkotit të tre seancave të fundit plenare.
As opozitarët nuk u kursyen nga thirrjet e qytetarëve.
Protesta, e cilësuar si simbolike, vijoi për disa orë dhe u zhvillua e qetë, pa përplasje të forta, ndryshe nga ajo e 2 korrikut.
Protestuesit kanë paralajmëruar se do të rikthehen para Kuvendit edhe më 23 korrik, kur është parashikuar të mbahet seanca e fundit plenare për këtë sesion.


