Veliaj hap tenderin 18 mln euro për ndërtimin e Teatrit të ri, pak muaj para zgjedhjeve

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzonte procedurat për shembjen e Teatrit Kombëtar Erion Veliaj hap garën për ndërtimin e godinës re. Vendimi vjen pak muaj para zgjedhjeve lokale dhe  Fondi i vendosur në dispozicion vetëm për fazën fillestare të punimeve është afërisht 18 milionë euro.

18 milionë euro do të kushtojë vetëm faza e parë e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar.

E megjithëse Gjykata Kushtetuese rrëzoi procedurën e shembjes së teatrit, askush nuk është ndëshkuar për atë çfarë ndodhi më 17 maj 2020.

Bashkia e Tiranës ka hapur këtë të martë tenderin teksa në SPAK qëndrojnë ende paditë e ngritura për shembjen e Teatrit Kombëtar. 

Por kjo nuk e ka ndalur Erion Veliajn të vijojë me hapin e radhës për ndërtimin e godinës së re.

Ky vendim i bashkisë Tiranë vjen pak muaj para zgjedhjeve lokale.

Sipas njoftimit të tenderit publik, vlera e fondit limit për fazën e parë të punimeve për ndërtimin e Teatrit Kombëtar është 1 miliardë e 854 milionë lekë  dhe do të qëndrojë i hapur deri në në datën 3 nëntor, ku do të priten ofertat dhe më pas do të bëhet vlerësimi i tyre.

Sipas dokumenteve të njoftimit të tenderit, bashkia e Tiranës do të kërkojë nga kompania fituese që të ndërtojë godinën e re të Teatrit Kombëtar brenda një afati prej 27 muajsh.

Teatri do të ndërtohet sipas projektit të Bjarke Ingles, që u financua nga kompania Fusha, e cila fillimisht do të ndërtonte teatrin me koncension, por më pas u tërhoq.

Tashmë financimi i ndërtimit të godinës së Teatrit Kombëtar do të realizohet nga buxheti i shtetit.

Kujtojnë se shembja e godinës së Teatrit Kombëtar u bë në 17 maj të vitit 2020 në orët e para të mëngjesit, ku pavarësisht një rezistence të gjatë nga aktorë dhe aktivistë të shoqërisë civile, policia mbështeti aksionin e IKMT-së, duke larguar të gjithë të pranishmit që refuzonin të dilnin nga godina.

EMISIONET