Ura që po ndan pronarët nga tokat. Fushat djerrë në Derviçan të Gjirokastrës

Pjesa më e madhe e tokave bujqësore në fushat e Derviçanit është djerrë. Shkak për mos punimin e tyre është amortizimi i plotë i një ure që lidh fshatin me tokat bujqësore. Përfaqësuesit e fshatit thonë se kanë kërkuar disa herë ndërhyrje por nuk kanë marrë kurrë përgjigje.

Këto janë pamje të urës në Derviçan të Gjirokastrës! Këmbët e saj dhe shtrati janë pothuajse të rrënuara!

Ndërhyrjet sipërfaqësore të bëra pak vite më parë duket se nuk kanë luajtur asnjë rol në shpëtimin e saj.

Amortizimi gati në shembje i kësaj ure ka bërë që dhjetëra hetarë tokë matanë saj të mbeten djerrë.

Kryeplaku i fshatit thotë se fermerët nuk mund të aksesojnë tokat e tyre për shkak se mjetet nuk kalojnë mbi urë, ndaj askush nuk po i punon më tokat.

“Asnjë makineri e rëndë bujqësore nuk po kalon më në këtë urë, se është gati për t’u shembur. Dhe nuk kemi asnjë ndërhyrje nga institucionet”, shprehet kryeplaku.

Ai shprehet se si përfaqësues i banorëve i është drejtuar disa herë autoriteteve për ndërhyrje, por një gjë e tillë nuk është bërë kurrë e mundur.

“Prej 8 vitesh që unë jam kryeplak i fshatit Derviçian, jam ankuar në bashki dhe në prefekturë për të na ardhur në ndihmë për këtë problem që ndodh në fshatin tonë. Kjo urë është shumë e rëndësishme për ne, pasi fermerët dhe blegtorët e fshatit kalojnë çdo ditë mbi të. Përveç kësaj, në këtë urë mund të kalojnë vetëm këmbësorët dhe bagëtitë”, thotë kryeplaku.

Zona e Dropullit është prodhuese e lartë e drithit në vend, por në 10 vitet e fundit, tokat atje janë braktisur nga fermerët, jo vetëm për shkak të emigrimit masiv të të rinjve, por edhe pamundësisë për akses në tokat e tyre bujqësore.

EMISIONET