Universitetet/ Në Peshkim e Zooteknikë 6 studentë të regjistruar, 10 në Fizikë dhe Kimi 12 studentë
Në auditoret e universiteteve të hënën e 17 tetorit 2022 do të ulen rreth 1 mijë studentë më pak se vitin e shkuar.
Sipas të dhënave të Rrjetit Akademik Shqiptar gjatë dy raundeve të para janë regjistruar në institucionet e arsimit të lartë rreth 19 mijë të rinj.
Arjan Xhelaj, Drejtor i RRASH: "4200 maturantë u regjistruan në raundin e dytë. MBi 70% e totalit të aplikantëve për raundin e dytë"
Universiteti Bujqësor këtë vit akademik do të pres afro 150 studentë më pak.
Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor: "Nëse vjet kishim mbi 1200 studentë të regjistruar këtë vit kemi 1000 studentë"
Në këtë institucion 15 programe u shpallën prioritet kombëtar nga qeveria. Gjimnazistët që do t`i zgjidhnin do të përjashtoheshin nga tarifa dhe do të përfitonin burse por lehtësirat nuk kanë dhënë efekt.
Fatbardh Sallaku: "Më vjen keq se për disa programe nisma e qeverisë nuk ka ndikuar"
Degët peshkim apo zootekni rrezikojnë mbylljen pasi të regjistruar janë vetëm 6 studentë.
Fatbardh Sallaku:"Arsyeja kryesore lidhet me faktin se bujqësia konsiderohet si profesion i vështirë ndërkohë që të rinjt zgjedhin profesione që konsiderohen më trendi por që për mendimin tim nuk janë profesione që i përkasin të ardhmes"
Nisma e qeverisë nuk i ka tërhequr studentët as në programet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ku prioritet janë 8 degë.
Sipas të dhënave rezulton se në Fizikë janë regjistruar vetëm 10 studentë, në Kimi 12 dhe në Matematikë 25 studentë.
Ndërkohë në Universitetin e Elbasanit 12 programe studimi rrezikojnë mbylljen këtë vit, pasi në dy raundet e para në to nuk është regjistruar asnjë student.
Në Universitetin e Korçës 2 degë do të pezullohen.
Programet e mësuesisë në Universitetin e Vlorës këtë vit kanë më pak studentë të regjistruar.
Nga të dhënat e Rrjetit Akademik Shqiptar rezulton se në programet e mësuesisë në të gjitha universitetet e vendit janë plotësuar mbi 40% e kuotave.
Studentët që nuk kanë rezultuar fitues në dy raundet e para do të kenë mundësi të aplikojnë në raudnin e tretë që nis në 19 tetor.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

