U kap me 113 mijë euro në "Audi", lirohet nga qelia shefi i stërvitjes në RENEA, Altin Morina
Altin Morina, shefi i stërvitjes pranë repartit special RENEA në Tiranë, është liruar nga qelia.
Punonjësi i policisë u arrestua nga kolegët e tij, një muaj më parë, teksa në makinë ju sekuestruan 113 mijë euro cash, të padeklaruara nga Morina.
Vendimi për lirimin e Morinës është marrë tre ditë më parë nga gjykata e Tiranës, e cila pranoi kërkesën e specialit për ndryshimin e masës së sigurisë nga "Arrest në Burg" në "Detyrim për tu paraqitur në prokurori".
Në muajin Mars 2023 Morina u kap teksa lëvizte me një makinë "Audi", brenda së cilës u bllokuan 113 mijë euro.
Tre ditë pas arrestimit, Morina doli para gjykatës, e cila vendosi ta mbyllë në qeli për akuzën e "Pastrimit të produkteve të veprës penale".
Por Altin Morina deklaroi se: "...prokuroria nuk ka asnjë provë, paratë i kam marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestimit. Nuk vijnë nga produkt kriminal, jam gati të bashkëpunojë me organin e akuzës për ti dhënë prova që lekët i mora për arsye personale dhe familjare. Nuk ka patur person tjetër në shoqërinë time në momentin e arrestimit...”.
Duke mos qenë dakord me vendimin e gjykatës për mbylljen në burg, ditën e Enjte Morina i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për lirimin e tij nga qelia pasi eurot ja kishte dhënë biznesmeni i ndërtimit Gentian Gjoka.
Për të bindur gjykatën se nuk jemi përballë një skeme të pastrimit të parave, avokatët e Morinës kanë vënë në dispozicion dhe mandatin bankar të tërheqjes së eurove.
Me kërkesën e Morinës për lirim nga qelia, ka qenë dhe prokurorja e Tiranës, Elsa Miha,e cila pranoi në gjykatë që Morina të hetohej në gjendjen e detyrimit për tu paraqitur.
Nisur nga kjo situatë, gjykata e Tiranës ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Altin Morinës, nga "Arrest në burg" në "Detyrim për tu paraqitur" një herë në muaj në prokurori.