Vrau me skaf 7-vjeçaren, Gjykata rrëzon Agjencinë e Çuçit, polici Arjan Tase në burg për "vrasje me dashje indirekte"

Efektivi i Policisë Arjan Tase i cili vrau 7 vjeçaren Jonada Avdia në Potem të Himarës, e ka pranuar krimin. Në daljen e parë para Gjykatës së Vlorës, ai ka vendosur që të mbrohet në heshtje, ndërsa gjykata ka vendosur që ai të qëndrojë në burg, ndërsa do të hetohet nën akuzën e vrasjes me dashje indirekte, që dënohet deri në 20 vjet burg.

Gjykata e Vlorës ka vendosur sot (5 gusht 2022) masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj komisarit të policisë Arjan Tase i cili vrau me skaf Jonada Advdia mesditën e 2 gushtit 2022 në plazhin e Potamit në Himarë.

Në daljen e tij të parë para trupës gjykuese Tase ka pranuar  krimin dhe ka deklaruar se nuk do e ankimojë vendimin.

Ish-drejtori i Komisariatit të Himarës, në sallën e gjyqit I ka kërkuar falje  familjes Avdia dhe Policisë së Shtetit, ndërsa ndaj akuzave është mbrojtur në heshtje.

Në vendimin e shkurtuar të gjyqtares së Vlorës Vjola Canaj trupa gjykuese ka pranuar kërkesën e prokurorisë që Tase të hetohet dhe të akuzohet me veprën penale të “Vrasjes me dashje indirekte”.

Sipas kësaj vepre penale që është e parashikuar në nenin 76 të Kodit Penal të Shqipërisë, Tase rrezikon jo më pak se 10 vite burg, dhe deri në 20 të tilla.

Akuza është kundërshtuar nga mbrojtja e Tases të cilët kanë kërkuar nga Gjykata që akuza të qëndrojë ajo e “Vrasjes nga Pakujdesia”.

Akuza e vrasjes me dashje indirekte është gjithashtu e ndryshme nga referimi fillestar që i ka bërë Agjencia e Mbikqyrjes Policore, e cila e kishte klasifikuar ngjarjen si “vrasje nga pakujdesia”.

Ditën e premte në gjykatë nuk ka qenë prezent asnjë prej anëtarëve të familjes së viktimës 7 vjeçare.

Arjan Tase goditi me skaf Jonada Avdiajn në Potem të Himarës, ndërsa ngjarja solli një varg reagimesh që ngrinin pikëpyetje për sigurinë në plazhe, reagime këto që kulmuan pasditen e së entes me një protestë ku morën pjesë mijëra persona para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë në Tiranë.

EMISIONET