Tirana e pajetueshme, kryeqyteti shqiptar i shtrenjtë, ndër më të ndoturit
Tirana ka vijuar të përkeqësojë renditjen si kryeqyteti me cilësinë më të keqe për të jetuar në Europë edhe gjatë këtij viti.
Sipas, Numbeo-s që është dhe sistemi më i madh i të dhënave për koston dhe cilësinë e jetesës, rezulton se kryeqyteti shqiptar është ndër të fundit në botë për cilësinë e jetesës.
Në krahasim me mesin e një viti më parë, të dhënat janë përkeqësuar, pasi në renditjen aktuale, Tirana ishte e 232-a nga 254 kryeqytete e qytete, ndërsa një vit më parë ishte në pozicionin e 215.
Kryeqyteti shqiptar është futur për herë të parë në renditje në mesin e vitit 2020, ku sërish u rendit e fundit në Europë, në vendin e 218, por që nga ajo kohë renditja po vjen vetëm në përkeqësim.
Nga të dhënat e përpunuara nga Monitor, Kryeqyteti shqiptar penalizohet nga çmimet e larta të pasurive të paluajtshme në raport me të ardhurat, ndotjen, kujdesin shëndetësor, ndërsa është pak më mirë në indeksin e klimës.
Tirana renditet e 44-a më e shtrenjtë nga 254 qytete e kryeqytete në raportin e çmimeve të pasurive të paluajtshme ndaj të ardhurave. Të blesh një apartament në kryeqytet është njësoj e shtrenjtë në raport me të ardhurat, si ta blesh atë në Londër, Milano, Romë, apo Munih.
Për indeksin e ndotjes, kryeqyteti shqiptar është në vendin e 242, imë e ndotura në Europë dhe ndër të fundit në qytetet në këtë renditje.
Në indeksin e trafikut, Tirana është në vendin e 181 nga 254 qytetet që kanë më shumë trafik, por gjithsesi është më mirë se kryeqytete të tilla si Londra apo Parisi.
Por, në indeksin e fuqisë blerëse (që mat fuqinë blerëse në raport me mesataren e Nju Jorkut), kryeqyteti shqiptar është ndër të fundit, në vendin e 231.
Në Indeksin e Kujdesit Shëndetësor, Tirana është në vendin e 246, e fundit në Europë dhe duke u renditur ndër 9 qytetet me kujdesin më të keq shëndetësor që janë të përfshira në këtë renditje.
Në indeksin e klimës, ku kryeqyteti renditet në vendin e 85, me një klimë relativisht të përshtatshme.
Në indeksin e sigurisë, Shqipëria renditet e 131, më mirë se rajoni (Shkupi, Podgorica), apo se Barcelona, Torino, Roma.
Nga kryeqytetet e tjera të rajonit, më mirë në cilësinë e të jetuarit renditet Sarajeva e Bosnjë Hercegovinës.
Qytetet me cilësinë më të mirë të jetesës në botë janë dhe Canberra dhe Adelaide në Australi dhe më të këqijat Lagos në Nigeri dhe Manila në Filipine.




