Tepelenasit, “luftë” në Sarandë/Pasi plagosën pronarin, tentuan t'i djegin lokalin e natës, arrestohet “Ujku”
Rreth 24 orë pas sulmit me armë ku mbeti i plagosur biznesmeni Spiro Iljadhi, lokali i tij i natës në pronësi të 35-vjeçarit në Sarandë u tentua të digjet. Autori tashmë i arrrestuar është një 32 nga Tepelena, zona nga e cila janë edhe tre autorët e breshërisë me automatik ndaj lokalit.
Pas sulmit me armë zjarri ku mbeti i plagosur biznesmeni Spiro Iljadhi, dhe një turist, lokali i natës në pronësi të 35-vjeçarit në Sarandë u tentua të digjet.
Për tentativën e zjarrvënies në pranga u vu 32-vjeçari, Luan Obzova, nga Tepelena, zonë nga e cila janë edhe tre autorët e breshërisë me automatik.
I riu i njohur edhe me nofkën “Ujku” u kap me një shishe benzinë në dorë para lokalit nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që po ushtronin kontrolle në qytetin bregdetar pas ngjarjes.
Dyshimet janë se ai tentoi ti vërë flakën lokalit si vijim i konfliktit me biznesmenin por edhe për të shkatërruar provat e mundshme të sulmit me armë që sipas policisë ndodhi pas një debati për motive të dobëta.
Këtë të hënë ndërkohë policia vuri në pranga një nga tretë rinjtë që akuzohen se qëlluan lokalin në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Në pranga ka përfunduar Redjan Hadëri.
33-vjeçari me precedentë penale, akuzohet si bashkëpunëtor i vëllezërve Andrea Caushi e Visi Caushi, të cilët mbeten ende në kërkim.
Në dëshminë e parë Hadëri ka pranuar ishte i përfshirë në ngjarje, por mësohet se ka deklaruar se ishin dy vëllezërit Caushi që qëlluan ndaj lokalit të natës në Sarandë.
Detaje të reja ndërkohë janë mësuar mbi dinamikën e ngjarjes që rrezikoi të prodhojë një tragjedi në orët e para të së dielës.
Burimet thonë se dy vëllezërit Caushi dhe miku i tyre Hadëri, që të tre banorë të Tepelenës u nxorën nga lokali i natës nga roja i sigurisë pas një sherri.
Më pas ata kanë nisur të qëllojnë ndaj lokalit.
Breshëria e plumbave la të plagosur biznesmeni 35-vjeçar dhe turistin Marin Jano që ndodhej në Sarandë për pushime.
Biznesmeni 35-vjeçar u soll me helikopter në Tiranë, ku iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Sarandës thotë së ndërkohë vijon aksionin për arrestimin e vëllezërve Andrea e Visi Caushi.

