Atentat me armë zjarri në qendër të Lushnjes, vritet pronari i Bar Pedonales, plagosen 5 të tjerë
Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në qendër të Lushnjes (23 gusht 2021), pranë një lokali. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:15.
Si pasojë e të shtënave, ka mbetur i vdekur një person i identifikuar si Bledar Muço, rreth 40-vjeç, si dhe janë plagosur 5 të tjerë, raporton Ora News.
Tre të plagosurit janë transportuar në spitalin e Lushnjes për ndihmë mjekësore. Ata janë identifikuar si Judin Velo, 32 vjeç Ervis Tafa dhe Sara Liçi 24 vjeçe. Më vonë u mësua se ishin plagosur në pedonale edhe dy gra të tjera, shtetaset E. S., 26 vjeç dhe M. Gj., 66 vjeçe.
Pronari i lokalit
Viktima është pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja. Ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një makinë tip "Benz", duke lënë të plagosur dhe 3 persona të tjerë.
Në mjet kanë qenë dy persona, raporton Ora News.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Rreth orës 23:30 policia njoftoi se në fshatin Thanasaj, Lushnjë kishte gjetur të djegur një automjet i cili dyshohet se ishte i autorëve.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një zonë mjaft të populluar duke krijuar panik dhe frikë mes banorëve.
Njoftimi i plotë i policisë
Sot rreth orës 22:00, në një lokal në pedonalen e qytetit, është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka ndërruar jetë shtetasi B. M dhe kanë mbetur të plagosur shtetasit J. V., 32 vjeç, E. T dhe S. L., 24 vjeçe të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.
Vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes

