Të rinjtë kriminelë, sëmundje e modernizimit/ Sociologët: Mos kërkoni nga fëmijët më shumë se kapaciteti i tyre
Sociologët bëjnë përgjegjës familjen dhe shoqërinë për sjelljet e dhunshme dhe kriminale nga adoleshentët. Ekspertët konsiderojnë të gabuar insistimin e prindërve për fëmijë ekselentë në çdo fushë.
Krimet nga adoleshentët, të ngjashme si masakra në Serbi, konsiderohen një sëmundje e modernizmit, nga sociologu Zyhdi Dervishi.
Thotë se autorët e këtyre veprave janë të ndikuar si nga shoqëria edhe nga familja.
"Dukuri të kësaj natyre janë sëmundje moderniteti. Në shumë vende të urbanizuara të Perëndimit është vënë re kjo dukuri."
Dëshira e prindërve që fëmija i tyre të jetë më i miri në të gjitha fushat, e sforcon atë.
"Ka prindër që kërkojnë më shumë se duhet nga fëmijët e tyre. Këto i kontraktojnë fëmijët, i stresojnë, i bullizojnë. Janë bullizuesit më të këqinj të fëmijëve të tyre. Personaliteti i fëmijës duhet të zhvillohet brenda kapaciteteve të veta jo mbi këto. Mbi këto krijojnë shumë konflikte."
Shkolla është një nga ambeintet ku zhvillohen më së shumti sjelljet bullizuese, duke vënë nën shënjestër ata që janë mbi apo nën nivelin e shumicës.
Rastet kur adoleshentët kryejnë akte kriminale më së shumti kanë qenë të përhapura në Amerikë, por ngjarja në Beograd, për Dervishin tregon se kjo po përhapet kudo në botë për shkak të rrjeteve sociale dhe filmave me përmbajtje dhune.

