Të maskuar dhe automatik në dorë hyjnë në lokal, kamera kap momentin e tmerrit për 4 të rinjtë në Lezhë

Tre personat e armatosur dhe maskuar që shfaqen në këtë video, ishin në kërkim të 25-vjeçarit Ani Kola, i cili duket se ishte objektiv i një atentatit.

Këto skena janë filmuar në një lokal në Zejmen të Lezhës në pronësi të të riut që i shpëtoi sulmit për faktin e vetëm se nuk ndodhej aty.

Ngjarja është shënuar mbrëmjen e 13 nëntorit, por policia e Lezhës u vu në lëvizje vetem pasi këto pamje u bënë virale në rrjet.

Autoritetet thanë se 25-vjeçari Ani Kola ka pasur një konflikt me personat që i shkuan të armatosur në lokal.

Por fakti që ata u verifikojnë dokumentet e identitetit një nga një të rinjve që gjetën aty, tregon se nuk e njihin personalisht objektivin e sulmit.

Kjo ngre dyshime të forta se tre personat me maska në kokë e kallashnikovë në dorë mund të jenë dërguar si vrasës me pagesë.

Siç duket në pamje, pasi përfundojnë verifikimet, ata ikin të qetë pa marrë dhe dëmtuar asgjë, ndërsa më pas kanë humbur gjurmët.

Vetë 25-vjeçari Ani Kola dhe tre të rinj që ndodheshin në lokal janë në arrati, ashtu si tre personat që bënë terror me kallashnikov në dorë.

Me një javë vonesë përballë një ngjarje që ngre sërish alarmin për situatën e kriminalitetit, Policia e Lezhës thotë se po punon për gjurmimin e tyre.

EMISIONET