"Shëtitësit e natës", arrestohen babë e bir nga Lezha si autorë të dyshuar disa vjedhjeve

Sokol Kolndreu dhe Arion Kolndreu, babë e bir janë arrestuar nga blutë e Lezhës si autorë të dyshuar të disa vjedhjeve.

Policia bën me dije se është shpallur në kërkim një person tjetër si dhe është proceduar shtetasi S.Q, të implikuar në veprimtarinë kriminale të vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit janë sekuestruar  dy armë zjarri, armë gjahu e sportive, armë të ftohta, municion luftarak, dylbi dhe sende të tjera të dyshuara të vjedhura.

Në kuadër të operacionit policor të koduar "Shëtitësit e natës" u bë arrestimi i shtetasve Sokol Kolndreu, 67 vjeç dhe Arion Kolndreu 25 vjeç,(babai dhe djali), banues në Ishull Shëngjin, Lezhë.

U procedua penalisht shtetasi  S.Q., 21 vjeç, si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi: M.K.,27 vjeç, banues në Shëngjin.

"Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Ishull Shëngjin, Ishull Lezhë dhe Shëngjin, kanë vjedhur në disa banesa vegla punë dhe sende të tjera," informon policia.

Po në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle në banesat e tyre, ku nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasve Sokol Kolndreu dhe Arion Kolndreu, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik me 4 krehra, një pistoletë me krehër me fishekë, një armë e ftohtë thikë, përfocues grushti, doreza dhe vegla punë të dyshuara të vjedhura.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit V.Q., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë sportive, një armë gjahu dhe dylbi.

Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të vjedhjeve të ndodhura më parë ku dyshohet  se janë të implikuar shtetasit e lartpërmendur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

EMISIONET