Të dhëna të reja nga dosja e trafikantëve – Zbërthehen mesazhet e koduara të grupit
Detaje të reja zbulohen nga dosja voluminoze e operacionit të tre ditëve më parë ku një rrjet kriminal i trafikut të drogës u godit në Itali dhe Shqipëri me 43 arrestime në total nga të cilat 15 në Shqipëri.
Pas kontrolleve në Durrës, u shpallën në kërkim edhe 6 persona të cilët ishin larguar. Grupi akuzohet për trafikimin e 120 kilogramëve kokainë dhe 15 kilogramë heroinë. Në dosjen e këtij grupi kanë dalë edhe përgjime të ish-zv,ministres së brendshme Rovena Voda.
Ndërkaq, së fundmi “Ora News” ka siguruar dosjen ku trafikantët e drogës komunikonin me njëri-tjetrin.
Nga dosja hetimore rezulton se personat e përfshirë komunikonin me njëri-tjetrin me kode për të mos u pikasur nga policia.
Simboli S - tregonte lëndën narkotike të marjuanes me origjineë nga Spanja;
Simboli A - tregonte marjuanën me origjinë nga Shqipëria;
Simboli H - tregonte kokainën;
Fjala "Copë" - tregon për gramin e lëndëve narkotike
Fjala "tym" ose "çokollatë" - tregon për lëndën narkotike hashash;
E ndërsa fjala "mushka" - për korrierët
Në dosje rezulton se njëri nga drejtuesit e grupit, i njohur si Emirjan Beu kishte pseudonimin e rreperit Noizy.