Studiesi Kotherja: Kam gjetur dokumentime fotografike të udhëtimit të Ismail Qemalit me delegatët e tjerë drejt Vlorës

Në studion e OraNews ka qenë i ftuar studiuesi Niko Kotherja për të folur në kuadër të festës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Kotherja ka treguar lidhur me nënshkrimin e aktit të shpalljes së Pavarësisë dhe rrugëtimin e delegatëve shqiptarë që shkuan drejt Bukureshtit aso kohe.
“Do të mjaftohem dhe do të them pjesën e parathënies së fundit të shkruajtur me veprimet e Ismail bej Vlorës, Luigj Gurakuqit kur ata gjendeshin prezent në hotel “Continental” në Bukuresht. Një hotel i cili ndodhet ende sot dhe që në hyrje të tij është vendosur dhe busti i Ismail Qemalit në përkujtim të asaj mbledhjeje të jashtëzakonshme. Një mbledhje që ai ishte bashkë me një pjesë të të përzgjedhurve të kolonisë shqiptare të Bukureshtit.”- tregoi ai.
Më tej, studiuesi gjithashtu u shpreh se ka mundur të gjej dhe dokumentime të rrugëtimit të përzgjedhurve shqiptar që po udhëtonin nga Bukureshti drejt Vlorës.
“Prej aty ata ndërmorrën rrugëtimin drejt Vlorës, të shoqëruar nga disa vetëdashës që iu bashkuan grupit.
Është interesante që para pak vitesh është mundur të gjendet një imazh fotografik i rrallë që dokumentohet udhëtimi i mundimshëm i delegatëve.”- tha ai.

