PAMJE/ 28 Nëntori - Paradë me kuaj dhe simbole kuqezi në Shkodër

Shkodra ka vijuar sot festimet për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë, duke sjellë në rrugët e qytetit një atmosferë të jashtëzakonshme bashkimi dhe krenarie kombëtare.

Qytetarë të shumtë, të veshur me simbole kuqezi dhe me flamuj në duar, i janë bashkuar festës së madhe kombëtare.

Tradita shkodrane u përcoll edhe këtë vit me paradën e njohur me kuaj, një nga elementet më karakteristike të festimeve në qytetin verior.

Nën tingujt e muzikës tradicionale dhe moderne, rrugët e Shkodrës u mbushën me energji, gjallëri dhe emocione.

PAMJE/ 28 Nëntori - Paradë me kuaj dhe simbole kuqezi në

Instrumentistë e grupe artistike i dhanë ngjarjes një dimension edhe më të veçantë, duke shoqëruar festën me ritme që rikthyen ndjesinë e ditëve të mëdha të historisë shqiptare.

Në Shkodër u organizua mbrëmë edhe “Sofra e Pavarësisë” në një atmosferë kuqezi ku u mblodhën mbi 200 të ftuar nga mbarë hapësira shqiptare.

E konsideruar si organizimi më i madh i këtij lloji në Shkodër, “Sofra e Pavarësisë” është një rikthim tek tradita e hershme e mikpritjes që bashkon shqiptarët.

Dhjetëra dronë vizualizuan në qiell hartat e Shqipërisë dhe Kosovës, simbolet kombëtare si dhe figurën e Ismail Qemalit.

PAMJE/ 28 Nëntori - Paradë me kuaj dhe simbole kuqezi në

Darka solemne rreth “Sofrës së Pavarësisë”, ku merrnin pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, kulmoi me organizimin e një koncerti festiv.

Përgjatë gjithë javës, kjo sofër ka shërbyer si një vitrinë promovimi për produktet bio nga të gjitha trevat shqiptare, duke krijuar një mozaik shijesh autentike dhe duke evidentuar vlerat e trashëgimisë kulturore.

Sot shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë, një akt historik që vulosi aspiratat shekullore për liri dhe shtet të pavarur.

Nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, te nënshkrimi i Aktit të Pavarësisë më 1912, kjo datë simbolizon qëndresën, unitetin dhe identitetin kombëtar.

EMISIONET