SPAK heton atentatin ndaj Ylli Brahimit edhe për një konflikt droge në Itali

Kalimi në SPAK, i dosjes që flet për atentatin me 108 plumba ndaj Ylli Brahimit dhe Klisman Preçit, ka hapur një tjetër pistë hetimore, përveç lidhjes shoqërore që Brahimi, ka me biznesmenin Ervis Martinaj.

Që prej muajit gusht, dy atentatet ndaj Ylli Brahimit po hetohet nga SPAK, pasi prokuroria e Kurbinit shpalli moskopetencën.

Sulmi me armë i ndodhur në 22 korrik, në qytezën e Milotit, po hetohet nga SPAK për një konflikt të ndodhur disa vite më parë në Itali, mes Ylli Brahimit dhe një personi të afërm të tij, që është dhëndër në fisin e të plagosurit.

SPAK, po heton me vëmëndje këtë pistë, pasi ngjarja dyshohet se lidhet me veprimtarinë e tregtisë së kokainës, mes grupeve kriminale që veprojnë në zonën e Lezhës dhe në disa zona të Italisë. Sipas informacioneve të mbledhura nga SPAK, konflikti mes dy njerëzve të afërm, ka ndodhur në Itali për shkak të humbjes së një sasie të madhe kokaine.

Ndërsa sherri është transferuar në Milot, ku brenda një periudhe prej 1 viti e 9 muaj, Ylli Brahimit, i janë kryer dy atentate me armë. Por fatmirësisht autorët nuk kanë mundur ta ekzekutojnë. Në janar 2021 Ylli Brahimi u sulmua me armë sapo doli nga lokali dhe në këtë ngjarje ai mbeti i plagosur.

Në 22 korrik 2022, dy persona me automatikë zbrazën 108 plumba në drejtim të makinës së blinduar tip “Toyota” të Ylli Brahimit, duke e lënë të vdekur në vend, Klisman Preçin dhe plagosur rëndë Ylli Brahimin. Sipas burimeve nga SPAK, të dyja këto ngjarje dyshohets e lidhen me njëra-tjerën.

Për të dyja Ylli Brahimi, nuk ka shfaqur tendencën për të bashkëpunuar me prokurorinë, duke mos treguar thuajse asgjë nga ajo çfarë di mbi autorët e mundshëm të dy sulmeve me armë. Ai I ka treguar policisë intenerarin e lëvizjes ditën e ngjarjes.

Sa i përket pyetjes mbi personat që ai kishte dyshime si organizator apo pjesëmarrës në atentat, mësohet se është shprehur i rezervuar duke deklaruar se nuk ka konflikte me njeri. Deri më tani prokuroria, ka në dorë 2 automjete për ekspertizë. “Audin” që u gjet i djegur në afërsi të Krujës si dhe automjetin tip “Toyota” të blinduar të Ylli Brahimit. Ndërsa është faktuar përmes ekspertizës balistike të gëzhojave, se në vendgjarje janë përdorur dy armë automatike.

Klisman Preçi dhe Ylli Brahimi mbrëmjen e 22 korrikut 2022 sapo kishin pirë kafe në një lokal në Milot, ishin nisur në drejtim të banesës, kur persona që dyshohet të jenë 2, kanë qëlluar me breshëri duke lënë të vdekur të riun Preçi. Ylli Brahimi mbeti i plagosur rëndë, ndërsa tashmë mësohet se ka dalë nga spitali.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET