Spahiu: Esad Pashë Toptani, politikani më i zoti në historinë e Shqipërisë. E vrau Ahmet Zogu
Publicisti, Nexhmedin Spahiu, nuk e vlerëson pozitivisht figurën e Esad Pashë Toptanit në raport me historinë e vendit.
Për për "Ora e Betit" në Rtv Ora, ai thotë se ai ishte një politikan shumë i zoti, ndoshta më i zoti që ka pasur ndonjëherë Shqipëria dhe se asnjë nuk ka pasur vëmendje ndërkombëtare më të madhe se ai.
Spahiu: Esad Pashë Toptani edhe pse nga formimi ishte një ushtarak, ai ishte ushtarak i dobët por një diplomat i përkryer. Ishte një kalkulant politik po ashtu i përkryer. Në kalkulimin e tij të fundit politik ai dështoi dhe u vra. Po të shohësh intervistat që ka dhënë në shtypin e kohës, Esad Pashë Toptani duket një patriot i përkryer por si duket patriotizmin e përdorte vetëm për të krijuar figurën e tij politike por ky patriotizëm nuk shihet në veprimet e tij në terren. Në radhë të parë te lufta e Shkodrës. Ilir Ikonomi ka bërë deri tani librin më të mirë për Esad Pashë Toptanin por ka disa mungesa, i mungojnë disa burime të histografisë serbe, arkivave të Çetinjës ku tregohet se kontakti i Esad Pashës me malazezët kishte filluar që para vrasjes së Hasan Riza Pashës.
Te burimet malazeze është e qartë që vrasësi i tij ishte Osman Bali, truproja e Esadit dhe e kishte bërë me porosi. Ishte vendosur që Shkodra të mbetej brenda kufijve të Shqipërisë, ishin në pikëpyetje Dibra, Peja, Gjakova, ndoshta dhe Prizreni. Kur dorëzohet Shkodra, Austro-Hungaria dorëzohet. Dorëzimi i Shkodrës nga Esad Pashë Toptani ishte dorëzimi i Dibrës dhe Gjakovës dhe jo i Shkodrës. Esad Pashë Toptani ishte i vetmi politikan shqiptar që u vu në anën e fituesve të Luftës së Parë Botërore, një pjesë e madhe e politikanëve shqiptarë në atë kohë qëndrojnë në Zvicër për të parë se kush do fitonte që të bëheshin me palën fitimtare, kurse pjesa më e madhe ishte në anën e Austro-Hungarisë që e humbën luftën.
Esad Pashë Toptanin nuk e konsideroj një figurë pozitive, ai në këmbim të karrierës së tij politike bëri lëshime të cilat dëmtuan vendin, Shqipërinë në shumë raste. Por nuk mund ti mohohet fakti se asnjë politikan para dhe pas tij nuk mori më shumë vëmendje ndërkombëtare, medalje. Nuk ka dyshim që ishte politikan i zoti, ndoshta më i zoti në gjithë historinë e Shqipërisë në kuptimin e zotësisë politike, kalkulimeve politike. Mendoj se vrasësi i vërtetë i Esad Pashë Toptanit është Ahmet Zogu. Dorasi, Avni Rrustemi në fund vritet nga Zogu. Përfitimi i Zogut është se përkrahësit e Esad Pashë Toptanit bëhet me të.