Sondazhi i Noto-s & RTV Ora, Manjani: Basha të japë dorëheqjen si kryetar, nuk bind më njeri se fiton

Për ish-ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen nga kryetar i PD, pasi e ka humbur mundësinë për të drejtuar.
Kështu është Manjani në Syri TV, teksa komentoi sondazhin e publikuar mbrëmjen e djeshme nga Antonio Noto & RTV Ora.
Sipas tij, Basha ka zero mundësi që të bindë njerëzit brenda partisë së tij se do të fitojë, jo më të tjerët jashtë.
Manjani: E vetmja mënyrë që Basha të vazhdojë të qëndrojë në lojë brenda PD është që të përballet burrërisht, të ofrojë dorëheqjen nga posti i kryetarit, sepse e ka humbur mundësinë për të drejtuar. Ka humbur edhe shansin për të na bindur ne të tjerëve që ky njeri fiton. Ka zero shanse që të bindë të tjerët, jo vetëm demokratët, edhe të tjerët jashtë PD. Madje ka shumë zëra që thonë se zoti Basha nuk do të fitojë. Është rehat aty ku është.
Nëse ai vërtetë do ta çojë këtë situatë në përplasje fatale, që ta detyrojë anëtarësinë të marrë vendim kundër tij, atëherë ai nuk ka më vend në PD. Ai duhet të dalë burrërisht dhe të shpjegojë pse i ka marrë ato vendime, pse PD nuk fiton asnjëherë me të në krye, çfarë është pengu i tij që mund ta bënte më mirë. Dhe duhet të ofronte dorëheqjen, duhet të pushonte ca kohë për të ndërtuar një alternativë brenda PD për të qenë kontribuues. Nëse do ta çojë PD-në drejt largimit dhe përjashtimit të tij, është humbje për Lulzim Bashën.

