Si funksiononte rrjeti në Finlandë? Dumani: Drejtuesit dërgonin nga Shqipëria njerëzit e tyre, fokusi te drogërat sintetike

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zbuluar se si funksiononte grupi kriminal që drejtohej nga Shqipëria.

"Aktiviteti shtrihet në vite. E dyta organizatorët apo krijuesit e grupit preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu organizonin aktivitetin kriminal. Sot gjykata ka lëshuar 11 masa sigurimi, të gjithë janë shtetas shqiptar, 10 ishin në Shqipëri, një jo. janë 54 persona të proceduar, shumica prej tyre të dënuar në Finlandë.

Në Finlandë janë edhe shtetas finlandez, jo vetëm shqiptarë. Edhe shtetësi të tjera. Ajo që ne si SPAK na ka bërë përshtypje është se në hetimet tona është hera e parë që shikojmë grupe kriminale që kanë në fokus edhe droga sintetike.

Deri tani kemi parë se kryesisht grupet shqiptare janë pas kokainës, heroinës apo marihuanës e kanabisit. Sasitë janë të mëdha. Kemi kapur edhe ekstazi. Të gjithë e dimë rrezikun që paraqet për shëndetin e konsumatorit këto drogëra sintetike.

Ky grup kriminal kishte një rrjet të tyre në Finlandë dhe në mënyrë periodike herë pas herë dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre që shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin shitjen e lëndës narkotike.”, u shpreh Dumani.

Ndersa prokurori Arben Kraja dha detaje te tjera për operacionin e SPAK dhe autoriteteve finlandeze për goditjen e një grupi kriminal të trafikut të drogës. Kraja tha se droga trafikohej nga Shqipëria drejt Finlandës, ose nga Spanja drejt Finlandës.

"Hetimi ka nisur në Shqipëri në bazë të informacione të dërguar nga autoritete finlandeze. Kishin konstatuar shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal.

Në Shqipëri u regjistruar procedimi penal, u ra dakord të krijonim një skuadër të përbashkët hetimore, që u finalizua shumë shpejt, brenda 2-3 muajve, pastaj dy vjet rresht punë dhe takime të përbashkëta dhe kemi ardhur sot që kemi këtë rezultat.

Nga ky hetim kemi nxjerrë disa tipologji problematika që tregojnë shtrirjen dhe shpërndarjen e aktivitetit kriminal të Shqiptarëve jashtë territorit tonë. Përfshirë nga Shqipëria drejt Finlandës, nga Spanja drejt Finlandës. Kemi përdorur metoda speciale të hetimit, gjatë gjithë periudhës dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe dakordësinë me veprimet që do kryejmë hap pas hapi", u shpreh Kraja.

EMISIONET