SHQIPTARËT, PROBLEMATIKË EDHE NË FINLANDË/ SPAK godet grupin e trafikut të dr*gës drejt Finlandës, "kokat" drejtonin nga Shqipëria! Sekuestrohet 300 kg
Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese finlandeze, ka zhvilluar një operacion të përbashkët kundër disa grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë dhe të koordinuar ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre finlandeze, që synon goditjen e rrjeteve kriminale që veprojnë në disa vende të Europës dhe që kanë lidhje me Shqipërinë.
Lajmi u konfirmua nga kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili deklaroi se operacioni është rezultat i një hetimi të thelluar dhe bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet finlandeze.
Arrestimet u kryen pas letër-porosive të mbërritura nga Finlanda, ndërsa hetimet kanë zbuluar aktivitetin e grupeve në trafikun e kokainës, heroinës dhe marihuanës.
Në një deklaratë për mediat, Dumani theksoi se ky hetim shënon një moment të veçantë për institucionin që ai drejton.
Ai sqaroi se krimi i organizuar shqiptar ka zgjeruar aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën, dhe se bashkëpunimi mes dy autoriteteve ka çuar në goditjen e disa grupeve kriminale përgjegjëse për trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
"Kam nderin dhe kënaqësinë që sot të bëjmë publike rezultatet e një hetimi të përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze. Krimi shqiptar ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën.
Ky hetim është tregues i qartë i vlerësimit që autoritetet ligj zbatues nordike kanë dhënë strukturave tona të drejtësisë. Kjo na ka mundësuar goditjen disa grupeve kriminale, përgjegjës për trafikimin e disa drogërave. Kemi goditur disa grupe të rëndësishme të trafikut të drogës, që shpërndanin kokainë, heroinë, marijuanë etj.
Hetimi është rezultat i një hetimi të gjatë dhe një bashkëpunimi tepër të mirë me autoritetet finlandeze. Dua të falënderoj Policinë e Shtetit dhe çdo prokuror të posaçëm për punën e shkëlqyer që ka bërë. Ky hetim është rezultat i një hetimi të gjatë", tha Dumani.
Gjatë operacionit u sekuestruan 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, ndërsa janë përdorur teknika speciale të hetimit dhe shkëmbim informacioni në kohë reale ndërmjet palëve.
Komisari për Krimin në Byronë Kombëtare në Finlandë tha se drejtuesit kryesor të grupit kriminal vepronin nga Shqipëria
“Dua të përgëzoj të gjithë kolegët që morën pjesë në këtë operacion sot në mëngjes. Dua të përgëzoj SPAK për bashkëpunimin gjatë dy viteve të fundit. Dy vite më parë u ndërmor një hetim në shkallë të gjerë, u arrestuan 55 shtetas, u sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike e trafikuar nga Spanja dhe Holanda.
170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë, rreth 100 kg marihuanë dhe disa tableta lëndësh narkotike. Nga hetimi në Finlandë, rezultoi se drejtuesi kryesor ishin shtetas që vepronin nga Shqipëria.”, u shpreh komisari nga Finlanda.


