Shtyhet seanca në Gjykatën e Posaçme për dosjen “5D”, mungon Redi Molla dhe avokatët
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është shtyrë seanca e radhës ndaj të pandehurve në dosjen 5D.
Shtyrja u bë për shkak të mungesës së ish-drejtorit të bashkisë, Redi Molla, dhe avokatëve të tij. Nuk është caktuar ende data e rihapjes së seancës.
Cila është Dosja 5D?
SPAK e akuzon Redian Mollën së bashku me zyrtarë të tjerë të bashkisë se favorizuan kompaninë 5D Konstruksion në tendera punësh publike. Kompania është regjistruar në pronësinë e Nestor Muhametllarit, por prokuroria pretendon se ka de fakto zotërues Mollën dhe drejtorin tjetër të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato. Kompania 5D Konstruksion u themelua në vitin 2016 me emrin “Igor Elektrik” dhe e ndryshoi më pas emrin në vitin 2019 në V.A.S.
Konstruksion dhe në vitin 2021 në 5D Konstruksion. Të dhënat e bilanceve të kompanisë të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se të ardhurat e saj ishin në masën 2.2 miliardë lekë [rreth 20 milionë euro] për periudhën nga viti 2016 kur u themelua deri në vitin 2022.
Nga të dhënat e prokurimeve publike, kompania ka fituar 29 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 1.8 miliardë lekësh. Sipas SPAK hetimet për Mollën dhe personat e tjerë të akuzuar në këtë dosje kanë filluar kryesisht në prill të vitit 2023, ndërsa më pas atyre u është bashkëlidhur edhe një kallëzim penal nga kandidati i opozitës për kryetar i Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar, Belind Këlliçi.
Sipas SPAK, Qato dhe Molla e kishin fshehur pronësinë mbi kompaninë 5D Konstruksion përmes ortakëve fiktivë në aktet e regjistrimit. Molla i ka mohuar akuzat në një qëndrim publik duke pretenduar se nuk kishte lidhje me kompaninë dhe se akuzat ishin sulm politik.
Gjithashtu nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), si dhe me të pandehurin Kristo Zhulati në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, të zhvilluar në datën 01.10.2019.


