Shqipëria, portë e hapur për pushimet verore, ndërsa qytetarët e rajonit duhet të presin burokratët e BE-së

Bashkimi Europian nuk ka ende një vendim të qartë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në vendet anëtare.

Komisioni Europian ka dalë me propozime konkrete por është në pritje të vendimarrjes.

Sidoqoftë eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, u shpreh optimist se përpara na pret një verë më normale se ajo që lamë pas në pandemi.

Oliver Varhelyi: Shpresoj shumë se 651 mijë dozat ne thjesht po çelim dorëzimin e këtyre dozave. Ne po punojmë edhe për inciativa të tjera apo për të sjellë doza të tjera. Shpresoj se do të vij vetë personalisht. Dozat do të jenë aq të shpeshta në Shqipëri sa unë nuk do të kem kohë të vij.Ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare dhe ato do të marrin një vendim.

Në rekomandimet tona kemi sugjeruar që shtetet anëtare të hapin sërish kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve tjera të hyjnë në BE, në veçanti të Ballkanit Perëndimor, edhe pa pasur arsye thelbësore, të rifillojë udhëtimi i tyre.

Për këtë po përdorim të dhëna epidemiologjike në mënyrë që ato vende të cilat kanë një situatë të mirë epidemiologjike, qytetarët e tyre të kenë mundësi të vizitojnë shtetet anëtare të BE si dhe ata individë që janë të vaksinuar. Shpresojmë që në formë graduale do të fillojmë këtë proces dhe shpresojmë të kemi një verë normale, ka ardhur tashmë koha të ndodhë kjo gjë.

Ndryshe nga BE, Shqipëria tashmë ka një pozicion të qartë në këtë drejtim, asnjë ndalesë apo pengesë për këdo që dëshiron të vizitojë apo pushojë në vendin tonë,.

Edi Rama: Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht dhe asnjë pengesë për të gjithë ata që do të vijnë në Shqipëri për një sezon turistik që do të jetë shumë më i lehtë se i shkuari. Me shumë kënaqësi po ndjek të gjithë procesin e prenotimeve dhe kërkesave që rriten vazhdimisht nga vendet e tjera për të kaluar pushimet në Shqipëri. Sot jemi në një pozicion të admirueshëm nga pikëpamja epidemiologjike, e sasisë së vaksinave të bëra.

Do të vazhdojmë me ritëm të lartë vaksinimin, e kemi realizuar objektivin e gjysmë milion vaksinimeve 29 ditë para afatit, tani objektivi është 1 milion dhe puna vazhdon intensivisht në mënyrë që Shqipëria të buzëqeshë e çliruar nga ky makth i gjatë dhe kapaciteti i saj kryesor që ka të bëjë me turizmin të përdoret sa më shumë këtë vit dhe besoj totalisht vitin e ardhshëm dhe në vijim.

EMISIONET