Shqipëria po shpopullohet! Ipeshkvijtë ngrenë alarmin: Cili është projekti për të ardhmen e këtij vendi?
Angelo Massafra, kryetar i konferences ipeshkvnore të Shqipërisë në një konference për media në emër të Kishës, i kërkoi klasës politike që ta trajtojë me përparësi këtë problem
Largimi masiv i shqiptarëve që po merr përmasat e eksodit muajt e fundit, ka ngritur në alarm dhe institucionet fetare të vendi tonë.
Përmes një deklarate për media, si rrallëherë më parë Kisha Katolike përmes Ipeshkvinjve në të gjithë Shqipërinë ka thënë se shqiptarët kanë humbur shpresën për të ndërtuar një jetë në vendin e tyre.
Situata është e qartë në sytë e të gjithëve. Këtë na e konfirmon puna baritore e motrave dhe meshtarëve, si edhe dëgjimi i besimtarëve tanë, të cilët në mënyrë dramatike na rrëfejnë se si familje të tëra preferojnë të emigrojnë prej frikës se nuk mund t’u garantojnë një të ardhme të sigurt fëmijëvë të tyre e se shumë prej tyre kanë humbur shpresën për të jetuar në Shqipëri.
Duke e qujatur akt denoncimi publik, Kisha katolike ka disa pyetje për drejtuesit e vendit.
Me anë të këtij akti denoncimi i drejtohemi mbi të gjitha klasës politike të vendit në mënyrë që ky problem të trajtohet me përparësinë më të madhe.
Duke parë një situatë të tillë dramatike, na vjen të pyesim:
Vendi i lënë bosh nga shqiptarët që emigrojnë, kujt do t’i mbesë?
Kujt jemi duke ia dorëzuar këtë tokë?
Cili është projekti për të ardhmen e këtij vendi?
E gjithë kjo pasuri që gjendet në këtë tokë, në duart e kujt do të jetë?
Nëse jemi demokraci nuk duhet të kemi frikë t’u përgjigjemi me kurajo këtyre pyetjeve të drejta dhe legjitime të qytetarëve tanë.
Ipeshkvinjtë i janë drejtuar edhe popullit shqiptarë me thirrjen e qartë se nuk mund t’i delegojë të ardhmen e vet një sistemi politik as iluzionit të një jete më të mirë diku tjetër.
Në fund jemi të vetëdijshem që përgjegjësitë nuk janë vetem të atyre që udhëheqin vendin, nxisim të gjithë shqiptarët për një shqyrtim të thellë të ndergjegjes për të kuptuar që fatet e vendit tonë varen prej zemrës dhe mendjes së gjithësecilit.
Jemi të gjithë bashkëpërgjëgjës, secili sipas pjesës që i takon, në funksionimin pozitiv ose negativ të jetës sociale të Shqipërisë. Askush nuk mund t’i delegojë të ardhmen e vet një sistemi politik as iluzionit të një jete më të mirë diku tjetër.
Pamjet dramatike të shqiptarëve që udhëtojnë me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar ka ngritur në alarm institucionet atje, ndërsa mijëra shqiptarë kryesisht të rinj raportohen të kenë mbërritur përmes kanalit “Le Manche”