Rreziku nga telefonat, Softa: Duhet të dimë të mbrohemi nga mashtrimi dhe hakerimi. Ja prefikset që përdoren nga abuzuesit
Policia paralajmëroi këtë të dielë qytetarët që të kenë kujdes pasi po aplikohet një praktikë e re mashtrimi nga ana e personave ende të paidentifikuar.
Bëhet fjalë për qytetarët që përdorin pajisjet e komunikimit “Apple” të cilëve u dërgohen me IMessage, përmbajtje nga adresa të ndryshme ICloud.
Personave që marrin këto mesazhe iu premtohen të ardhura në valuta të huaja duke pasur si kriter vetëm përdorimin e aparatit të tyre celular dhe të interesuarit më pas duhet të komunikojnë në aplikacionin “Telegram”.
Policia deklaron se autorët mund të marrin të dhënat personale, ndaj kërkon nga qytetarët të kenë kujdes dhe të denoncojnë menjëherë pranë krimit kibernetik.
Eksperti i Sigurisë Fatjon Softa në studion e lajmeve në “Ora News” theksoi se alarmi i Policisë është real, pasi abuzuesit sa vijnë dhe shtohen. Dhe për këtë nuk mjafton vetëm ligji, por duhet të kemi dhe platforma mbrojtëse nga shteti.
“Ka kaq shumë vjedhje dhe abuzime me sistemet saqë është e pamundur që një strukturë shtetërore të përballojë flukset e këtyre vjedhjeve.
Kjo nis që nga e-mailet dhe këto mund të bëhen mënyra për të shkuar tek sistemet tona.
Këto vijnë nga servera që kanë prefiksin e Tunizisë, Kubës, apo së fundmi edhe të Kosovës, dhe duhet të kemi kujdes kur na ftojnë që të klikojmë këtu, apo atje. Pra nuk duhet t’u përgjigjem dhe t’i neglizhojmë ato”, u shpreh ndër të tjera, eksperti i Sigurisë Fatjon Softa.