Raporti i TI, Preçi: Shqetësim paratë e pista në ndërtim dhe infrastrukturën publike në Tiranë
Shqipëria shënon regres në luftën ndaj korrupsionit. “Transparency International” konstaton se edhe në dhjetë vitet e fundit nuk ka pasur përparim. Problem mbetet qasja autoritare që shkatërron sistemin e pavarur të kontrolleve dhe balancave. Konstatohet mungesë transparence për pandeminë, gazetarët janë nën presion dhe policia vepron në mënyrë joproporcionale gjatë protestave.
Eksperti i ekonomisë, Zef Prençi në një intervistë në Ora News me gazetarin Everest Dedaj tha se raporti i fundit nuk sjell ndonjë gjë të re, thjesht konfirmon një situatë shqetësuese që raporte të tjera e kanë konfirmuar.
Preçi: Ka një situatë prej gati 10 vitesh që përparimi i shënuar në drejtim të fuqizimit të zbatimit të ligjit, përfshirjes së qytetarëve në qeverisje, ekuilibrave të pushtetit dhe ndarjes së tyre ka pësuar përkeqësim. Ky raport thjesht e konfirmon një gjë të tillë. Sa i takon aspekteve se ku shtrihet korrupsioni dhe çfarë ka ndodhur, duhet pranuar që zhvillimet e kësaj dekade kanë konfirmuar që situata është përkeqësuar dhe rënduar. Jo vetëm kosto e korrupsionit në kuptimin financiar, por edhe elementë të tjerë që lidhen indirekt me korrupsionin ekonomik janë dhe aspektet demokratike.
Liria e medies
Eksperti shtoi se është fakt i njohur, që ka një tendencë autoritariste të qeverisë që kombinon shantazhin, joshjen dhe blerjen.
Preçi: Të dhënat e patronazhistëve apo të dhënat mbi pagat konfirmon që me paratë e taksapaguesve paguhen dhjetëra vetë që janë influencues të opinionit dhe që në një farë mënyre lozin rolin e tru shpëlarjes për opinionin publik dhe bëhen avokat mbrojtës të qeverisë duke marrë para nga buxheti i shtetit.
Eksperti ngriti një shqetësim tjetër, atë të parave informale.
Preçi: Ndodh që bizneset polarizohen ashtu si dhe shoqëria dhe një numër biznesesh, kryesisht të mëdha që janë klientë të përhershëm të qeverisë uzurpon në të gjithë pasuritë natyrore të vendit dhe kontratat shumë fitimprurëse. Në thelb kjo bën që ai efekt kaskadë që ka të mos shtrihet si duhet, për rrjedhojë fondet limit shfrytëzohen deri në 100% dhe krijohen hapësira për tu përfshirë kompani që vijnë nga zona offshore. Për të mos thënë që vitet e fundit, është provuar nga agjenci serioze që paratë me origjinë informale dhe ato me origjinë kriminale po penetrojnë deri në infrastrukturën publike. Duhet të ketë një shqetësim më të madh të opinionit publik dhe qarqeve vendimmarrëse sa i takon kullave që ngrihen në Tiranë apo investime të tjera kryesisht me origjinë të dyshimtë dhe pa lidhje me nevojat e tregut.
Eksperti tha se ky raport dhe raporte të tjera të ngjashme konfirmojnë përkeqësimin e klimës së biznesit. Sipas tij, gjatë kësaj dekade është vënë re që vendimmarrjet e qeverisë apo ministrave të veçantë ratifikohen nga Parlamenti dhe ndërtohen në atë mënyrë që favorizojnë individë të caktuar. Prençi shtoi se duhet të veprojë SPAK dhe drejtësia.

