Korrupsioni “rrëzon” Shqipërinë, Transparency International: Rënie me një pikë nga viti i kaluar

Shqipëria shënon regres në luften ndaj korrupsionit. “Transparency International” konstaton se edhe në dhjetë vitet e fundit nuk ka pasur përparim. Problem mbetet qasja autoritare që shkatërron sistemin e pavarur të kontrolleve dhe balancave. Konstatohet mungesë transparence për pandeminë, gazetarët janë nën preison dhe policia vepron në menyre joproporcionale gjatë protestave.

Korrupsioni shënoi rënie me një vend të Shqipërisë në vitin që lamë pas. Organizata Transparency International publikoi të martën raportin e posaçëm. Përfaqësues të kësaj organizate thonë se më e rëndësishme se sa rënia apo rritja me një pikë në Indeksin e Perceptimit për Korrupsionit, është prirja e përgjithshme.

Për herë të parë, raporti ofron edhe një analizë krahasuese për gjendjen e korrupsionit në dhjetë vitet e fundit.

Lidija Prokic, këshilltare për Evropën Juglindore në Transparency International, në detajimin e të dhënave të raportit i tha Zërit të Amerikës se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, stanjacioni vjen pas një rënieje serioze dhe kjo nuk përcjell ndonjë mesazh shpresëdhënës.

“Kur flasim për Shqipërinë këtë vit, rezultati është 35 pikë, ndërsa për shembull, dhjetë vjet më parë, rezultati i Shqipërisë ishte 33 pikë, kështu që mund të themi vetëm se ka pasur shumë pak përparim në këtë periudhë 10 vjeçare. Dhe kjo sigurisht nuk është diçka për të cilën mund të jemi optimistë”.

Miratimi i reformave si ajo zgjedhore nuk mjafton, sipas vlerësimeve të raportit, pasi zbatimi është më i rëndësishëm.

Një fakt tjetër që vëren raporti është edhe mungesa e transparencës për median dhe presioni ndaj gazetarëve.

Konstatohet gjithashtu se në rastet e protestave, policia vepron në mënyrë joproporcinale.

“Në Shqipëri gazetarët përballen me padi dhe frikësime, përfshirë kontrollin e tepruar të informacionit në lidhje me reagimet ndaj COVID-19. Për më tepër, shqetësime për dhunën e policisë gjatë protestave dhe shkelje të lirisë së grumbullimit janë regjistruar gjatë gjithë pandemisë. Ka pasur përpjekje për të miratuar ligje që frenojnë seriozisht lirinë e shprehjes. Dhe këto mund të mos duken direkt të lidhura me anti-korrupsionin, por në të vërtetë janë”.

Kosova ka shënuar përparim të lehtë nga vlerësimi e Transparency International, sipas së cilës qasjet autoritare në Ballkan shkatërrojnë sistemin e pavarur të kontrolleve dhe balancave e pavarura dhe bëjnë që përpjekjet kundër korrupsionit të jenë të varura nga tekat e elitës.

EMISIONET