Raporti i TI për korrupsionin, Dhoma Amerikane e Tregtisë: Shqipëria nuk po i lëshon sinjale pozitive investitorëve

Raporti i TI për korrupsionin, Dhoma Amerikane e Tregtisë:

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka reaguar për raportin e Transparency International për korrupsionin në vend.

Presidenti i Dhomës, Enio Jaço, thotë se ky raport i jep përgjigje pyetjes së përsëritur mbi klimën e biznesit në Shqipëri.
 
"Lexova intervistën e Lidija Prokic, Këshilltare për Evropën Lindore dhe Juglindore e Transparency International në Zërin e Amerikës. Është për të ardhur keq, që në një hark prej 10 vitesh, mungesa e Transparencës me Prokurimet Publike, zbatimi i pabarabartë i ligjit dhe qasja autoritare e qeverive ka bërë që Shqipëria të ngecë në progresin me antikorrupsionin. Me një mungesë të thelluar përparimi, Shqipëria nuk po i lëshon sinjale pozitive investitorëve por as po zhvillon potencialet e saj".

Jaço thotë se Dhoma Amerikane prej një viti ka parashtruar rëndësinë e ngritjes së një mekanizmi anti-korrupsion me masa ndëshkimore legjislative për zyrtarët e korruptuar, si dhe për krijimin e hapësirës për përfshirjen e medias dhe shoqërisë civile në denoncimin e rasteve korruptive.

"Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur dhe korrupsioni është humbja më e madhe për vendin. Duhet një vullnet i gjithanshëm politik, institucional dhe bashkëpunim i të gjithë aktorëve që praktikat anti-korrupsion të bëhen realitet".

EMISIONET