Rama: Po planifikojmë që abetarja e unifikuar të jetë dhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi
Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e qeverisë Shqipëri-Kosovë se po shikohet mundësia që abetarja e unifikuar do të jetë e aksesueshme veç Kosovës edhe në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe në Serbi.
"Ashtu sikundër është këtu, besoj vendi i duhur për ta thënë, se ka përfunduar faza e parë për grupin e punës për abetaren e unifikuar dhe kemi fituesin.
Puna për fazën e dytë të zbatimit vazhdon dhe jam shumë shumë i lumtur që do të kemi mundësinë sëbashku me Albinin që të dorëzojmë abetaret e unifikuara.
Ndërkohë ne kemi folur edhe me përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, me kryeministrin e Malit të Zi dhe do të flasim dhe me autoritetet në Serbi që kjo abetare e unifikuar të shkojë tek të gjithë shqiptarët, familjet dhe fëmijët shqiptarë edhe në zonën tjetër që e ka merak vetë Albini; të diasporës.
Aty e kemi të sigurt që do të kemi një shpërndarje të abetares kudo ku do të na kërkohet," tha Rama.

