Kurti/ Bashkëpunimi në kohën e paqes të jetë po aq entuziast sa në kohën e luftës
Kryeministri i Kosovës Abin Kurti foli për proceset integruese duke theksuar se pritshmëritë mes dy vendeve janë reale.
"Është veti e këtyre mbledhjeve të flasin me gjuhën e rezultateve. Po ashtu është veti e këtyre mbledhjeve të nxjerrin në pah imagjinatën e sektorëve të veprimit. Pritshmëritë tona janë reale. Proceset integruese përbashkuese, të parashikuara në këto marrëveshje janë tashmë të gatshme në praktikat më të mira botërore dhe veçanërisht ato të Bashkimit Europian," tha Kurti.
Sipas Kurtit rezultatet e këtyre mbledhjeve të përbashkëta do të shihen pas gjashtë muajsh.
Ai theksoi nevojën e një harmonizimi dhe bashkërendimi më të mirë të politikave dhe veprimeve mes dy vendeve si në çështjet rajonale po ashtu edhe të politikës së jashtme.
"E këtu kam përshtypjen se kemi një oqean të tërë të mundësive potencialisht të pashfrytëzuara. Nga kjo pikëpamje, besoj se duhet të gjykohen edhe marrëdhëniet mes dy shteteve të kombit tonë dhe rolit që kemi secili nga ne.
Nga mundësia historike që na është dhënë për të shërbyer në një kohë të shanseve të mëdha. E s'ka dyshim se kjo mundësi historike që na është dhënë do të jetë edhe gjykim i historisë për ne, por shpresojmë dhe besojmë për të mirë e për të mbarë," tha kryeministri.
