Rama në Stamboll sulmon mikun e tij Vuçiç, thur lavde për Erdoan
Ndryshe nga herët e tjera ku kryeministri Edi Rama nuk ka nguruar për ti dalë në mbrojtje mikut të tij presidentit serb Aleksandër Vuçiç, kësaj radhe ai e ka pranuar se Serbia po mbron agresorin rus. Gjatë fjalës së tij në forumin botëror TRT të mbajtur në Turqi, Rama gjithashtu nuk i kurseu dhe fjalët lavdëruese për Turqinë dhe kreun e tyre të shtetit Rexhep Taip Erdogan.
Marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe mikut të tij në krye të shtetit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk janë më të njëjtat. Kjo pasi nga Stambolli, ku mori pjesë në forumin botëror TRT, Rama sulmoi Vuçiçin duke e cilësuar si një nga mbështetësit e Presidentit Rus, Vladimir Putin, i cili mbështetet me forcë nga Beogradi zyrtar në rajon.
Edi Rama: “Ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, ne Ballkanin Perëndimor, ka vende ku mbi 70% popullsisë mendon e Rusia nuk është një agresor dhe se Putini nuk është fajtor, por një lider që mund t’i besohet për sigurinë e kontinentit tonë. Marrin shembullin e Serbisë dhe influencën që ajo i jep edhe një pjese të madhe të Bosnjes.”
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama deklaroi se tashmë globi ka një armik publik, si Rusia, e cila është kërcënim për sigurinë globale.
Edi Rama: “Lufta në Ukrainë është një lloj sfide që ka ndikuar edhe në situatën gjeopolitike të rajonit. Lufta ka ndikuar në disa aspekte të sigurisë, ka ndikuar në inflacion si dhe ka ndikuar fortë tek furnizimi me energji elektrike. Këto janë sfida që ne si rajon mund ti përballojmë vetëm nëse jemi të bashkuar.”
Por teksa antemoi lobin rus, kreu i qeverisë shqiptare nuk e fshehu as në forumin e Stambollit simpatinë ndaj presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.
Rama e cilësoi Erdogan si një nga të vetmit që po ruan stabilitetin e rajonit.
Edi Rama: “Turqia është çelësi i stabilitetit në rajon. Erdogan ka dhënë gatishmërinë e tij gjithmonë dhe Ankara ka luajtur një rol të rëndësishëm për sigurinë në komunitet. Turqia gjithmonë ka qenë një aleat i mirë për rajonin dhe ne kemi një partneritet të ngushtë me ta.”
Serbia është një nga shtetet e vetme që mbështet Rusinë në lidhje me luftën në Ukrainë, dhe për këtë presidenti Vuçiç kërkoi me bojkotim të samitit të 6 dhjetorit që u mbajt në Tiranë mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit, ccka duket se ka sjellë dhe krisjen e parë pas më shumë se 6 vitesh mes tij dhe kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë Komisioni Europian në raportin e tij të pestë në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave i kërkon Shqipërisë të frenohet nga zbatimi i Programit të Pasaportës së Artë të njohur edhe si Skema e Shtetësisë së Investitorëve dhe të shfuqizojë bazën ligjore për një program të tillë, duke aplikuar ndryshime të reja në Ligjin për Shtetësinë.
Komisioni thekson se avancimi në një program të tillë mund të çojë në pezullimin e regjimit të vizave.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.