Rama: Shpresoj që ukrainasit të mos kenë shumë iluzione për BE, Maqedonia e Veriut ka 17 vite që pret

Do të vazhdojë Open Balkan pavarësisht kërkesës për anëtarësimin në BE? Ja si përgjigjet Rama:

"Ne nuk e ndryshojme kursin tonë. Ajo që duam të bëjmë është të ndërtojmë BE në shtëpinë tonë. "Open Balkan" është përgjigja e vërtetë ndërkohë që rruga e integrimit do të vazhdojë sigurisht pasi nuk ka alternativa të tjera, por shpirti europian duhet të ndërtohet në vendin tonë."

I pyetur se përse Kosova nuk është në "Open Balkan" ai përgjigjet se OpenBalkan është i hapur për të gjithë.

Sipas tij Shqipëria po bën të sajat; punën e saj, reformat e saj dhe do të vazhdojë ti bëjë jo se i kërkon Brukseli, por se fëmijët tanë po na i kërkojnë neve.

Në përgjigje për anëtarësimin e Ukrainës në BE Rama tha:

"Maqedonia e Veriut ka 17 vite që ka kandiduar, nëse nuk e kam humbur sensin e numërimit. Shqipëria ka vetëm 8 vite kështu që jam i lumtur për Ukrainën. Është një lajm shumë i mirë por shpresoj që ukrainasit mos të kenë shumë iluzione për këtë."

Në një postim në Twitter krah kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Rama thumbon Bashkimin Europian me titullin e dramës së Samuel Becket "Duke Pritur Godonë"

Rama shkruan se tashmë janë mësuar me këtë situatë.

"Ende po prisni Godot? Jo, ne jemi mësuar me këtë dhe jemi më shumë se kurrë të përkushtuar që të shtyjmë përpara modernizimin e vendeve dhe rajonit tonë me frymë të palëkundur evropiane."

Çfarë po ndodh në Bruksel?
Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka nisur Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane po diskutojnë me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Më vonë gjatë ditës, zhvillohet edhe takimi i Këshillit Evropian.

Pasi pritet që Ukrainës dhe Moldavisë në samitin e BE-së t’u ndahet statusi i kandidatit, disa liderë kanë bërë thirrje që të mos harrohen vendet e Ballkanit Perëndimorë, të cilat edhe pse janë në faza të ndryshme të integrimit në BE, janë duke ngecur për vite.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë peng i vetos Bullgare.

Në të dyja këto takime pritet të diskutohet për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, për idenë e krijimit të një Bashkësie Politike Evropiane, ndërsa disa liderë kanë paralajmëruar se do ta përmendin në diskutime edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

EMISIONET