Qyteti i Fierit i “mbytur” nga tymi i fushës së mbetjeve, zjarret djegin edhe Vlorën

Qyteti i Fierit po përballet me ndotjen e rëndë mjedisore të shkaktuar nga tymi toksik që vjen nga zjarri i rënë prej tri ditësh në vendgrumbullimin e mbeturinave. Ndërkohë zjarret në zonat periferike të qarkut kanë djegur më shumë se 70 hektarë siëprfaqe. Edhe në Vlorë situata e zjarreve është problematike, ndërsa autoritetet locale thonë se kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri por askush nuk i ka mbështetur në betejën me flakët.

Për të tretën ditë radhazi rrugët e Fierit janë mbuluar nga tymi. Zjarri në fushën e grumbullimit të mbetjeve që prej së martës vazhdon me intensitet më të ulët.

Tymi ka mbuluar të gjithë zonën e banuar duke krijuar një situatë shqetësuese jo vetëm pë rata që jetojnë në zonë, por edhe për qytetarët që kalojnë me automjete në këtë zonë.

Tymi toksik që prodhohet nga djegia e mbeturinave është rreziku më i madh që u kanoset banorëve të Fierit, posaçerisht banesave fare pranë vatrave të zjarrit.

Ndërkohë zjarret që vazhdojnë prej një jave në disa zona të Bashkisë së Fierit kanë djegur më shumë se 70 hektarë sipërfaqe.

Drejtori i Mbrojtjes nga Zjarri, Zija Hyka, thotë se forcat zjarrfikëse po luftojnë prej ditësh në zonat e Gjorgozit, Qafa e Lalarit, Kraps dhe Kreshpan.

"Zjarret kanë vazhduar, kemi mbrojtur në radhë të parë banesat dhe jetët e njerëzve pastaj kemi bërë eleminimin e vatrave të zjarrit."

Situata nga zjarret është shqetësuese edhe në Vlorë. Në fshatin Dukat, më pas edhe në fshatra si Panaja, Skrofotinë, Drithas e Novoselë, ka pasur vatra zjarri ditët e fundit ku janë shkrumbuar dhjetëra hektarë.

"Mendoj që zjarret në kullota dhe ullishte janë të qëllimshme."

Sipas drejtorit të Zjarrfikësve në Vlorë, në shumicën e rasteve vatrat e flakëve janë të qëllimshme ndërsa pavarësisht se është kërkuar ndihmë nga autoritetet qendrore, ndërhyrja nga ajri nuk ka qenë e mundur për shkak të mungesës së mjeteve.

EMISIONET