Qëndresa në rrethimin 6-mujor të Shkodrës, historiani Muhaj kritik: Pse nuk përkujtohet kjo epope e lavdishme?
Lufta për mbrojtjen e Shkodrës, 1912-1913, është lufta më e vështirë e popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë tokësore, si edhe një faqe e lavdishme e historisë së Shqipërisë.
Ajo ka qenë terësisht një luftë moderne e mirëorganizuar, që për nga kohëzgjatja në një rrethim 6-mujor serbo-malazez, përbën rastin më unikal të qëndresës heroike të shqiptarëve në Luftën e Parë Ballkanike.
Por, për fat të keq për këtë ngjarje historike flitet pak. Ardian Muhaj, historian i ftuar në "Ora e Betit" thotë se kjo epope e lavdishme nuk është vlerësuar sa duhet.
Muhaj: Nuk ishte Shqipëria e çliruar kur Mali i Zi kishte rrethuar Shkodrën. Ajo ishte tentativë për genocid, zhdukje dhe shfarosje të asaj popullsie. A gabuan shqiptarët që rezistuan në atë epope të lavdishme? Nëse ata nuk gabuan pse nuk kemi asnjë monument për të rënët e asaj epopeje, nuk kemi asnjë bust përveç atij turkut që është sponsorizuar nga shteti turk, asnjë rrugë, asnjë përkujtim. Shkodra humbet në këtë histori, ajo popullsi që po mbrojej humbet në këtë histori. Ajo luftë me indeksimin e sotëm ka pasur miliarda dollarë shpenzime nga Mali i Zi dhe Serbia. Një shtet i cili shpenzon miliarda dollarë në armatime do shpenzojë dhe miliona të tjerë në propagandë. Duhet të kemi kujdes të mos biem pre e inercisë së propagandës malazeze. Duhet të dekonstruktojmë ku është problemi. Pse nuk përkujtohet ajo luftë?