Politika shqiptare në sytë e diplomates suedeze: Disa kërkojnë për parti të reja, të tjerë janë lodhur me të njëjtat beteja

Si përfaqësuese e Suedisë në vendin tonë, ambasadorja Elsa Hastad, i ndjek me interes zhvillimet politike që kohët e fundit kanë qenë të bollshme.

E ftuar në Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, Hastad nuk preferon të dalë jashtë kostumit të diplomates teksa i kërkohet një opinion për bashkëpunimin politik në Shqipëri dhe krizën e brendshme që po kalon opozita.

Hastad: Do të doja të jepja një përgjigje nga pikëpamja e demokracisë sepse në këtë pikë e kam kompetencën për të folur. Sigurisht që është një problem nëse nuk kemi një opozitë funksionale të fortë. Të gjithë demokracitë e kanë të nevojshme opozitën të përbërë nga disa parti sepse në këtë mënyrë krijohet dhe nxitet demokracia. Unë si diplomate dhe kolegët e mi e ndjekim nga afër këtë situatë dhe shpresojmë që parlamenti shqiptar të mblidhet dhe bëjë punën e parlamentit. Të ketë një opozitë dhe qeveri të fortë, të ketë diskutime dhe të bëjnë punën. Është problem kur demokracia nuk është terësisht funksionale ashtu si duhet të jetë.

Si njohëse e mirë e politikës shqiptare ajo nuk është shumë optimiste për një zgjidhje të shpejtë por nënvizon se palët duhet të gjejnë mënyra për të punuar sëbashku përkundër pikëpamjeve të ndryshme.

Hastad: Nuk e di nëse do zgjidhet shpejt. Disa kërkojnë për parti të reja, disa janë të lodhur me po të njëjtat beteja. Është shumë e rëndësishme të gjejmë mënyra për të punuar sëbashku edhe nëse kemi pikëpamje terësisht të ndryshme. Kjo është gjithë ideja e demokracisë. Na duhet të bashkëpunojmë në parlament. Të gjithë kërkojnë të ekzistojë një opozitë e fortë.

EMISIONET