Negociatat me BE, ambasadorja e Suedisë: E papranueshme që Shqipëria të presë kaq gjatë. Flet dhe për Ballkanin e Hapur

Ambasadorja e Suedisë, Elsa Hastad, në një intervistë për Rtv Ora përballë gazetares Besmira Pelushaj e konsideron të pajustifikueshme zvarritjen e procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Hastad: Maqedonia e Veriut ka hedhur shumë hapa për tu përshtatur dhe për të qenë në gjendje që të hapë negociatat. Ka kaluar shumë koha. Reformat që janë bërë, është shumë punë që të arrini në fazën ku jeni ju. Drita jeshile u është dhënë dy vite me parë që jeni gati për të hapur negociatat. Ne nuk mendojmë se është e pranueshme të presësh kaq gjatë, ne po presim, ende duke pritur.

Diplomatja thotë se Suedia është e interesuar që ky proces të kurorëzohet sa më shpejt pasi edhe vetë prej 20 vitesh kontribuon në këtë drejtim.

Hastad: Unë e di që ju prisni por dhe ne po presim. Suedia ka qenë shumë pozitive ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave, anëtarësim në BE. Tani ka një çështje problematike specifike që po e bllokon Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që të hapen negociatat. Ne shpresojmë që kjo problematikë të zgjidhet shumë shpejt sepse të gjitha vendet dëshirojnë që Shqipëria të hapë negociatat për anëtarësimin në BE, edhe për Maqedoninë e Veriut gjithashtu. Ne vetë e kemi mbështetur Shqipërinë për 20 vjet, me ekspertizë, me përgatitje, me fushën e mjedisit, institucionet, demokracinë për të garantuar që Shqipëria ti përmbushë kriteret. Ne kemi thënë që ju jeni gati për negociata, shpresojmë që këtë verë por nuk i dihet.

Diplomatja foli edhe lidhur me rrezikun e influencave ruse në rajon.

Hastad: Është e pamundur ta them, e kam të pamundur ta përcaktoj (ndikimim). Është shumë shumë e vështirë të bësh një vlerësim, nuk do të spekuloja në këtë drejtim. Por për ne si Suedi është e rëndësishme që Shqipëria të bashkohet me BE në mënyrë që të përforcojë ndjenjën e familjes. Ju jeni tashmë anëtar i NATO-s dhe shumë vende të Ballkanit Perëndimor janë anëtarë të NATO-s dhe kjo është garanci në vetëvete. Por mesa kam njohuri nuk ka kërcënim të hapur ndaj Ballkanit Perëndimor. Për ne është e rëndësishme të jemi bashkë sa më tepër në një bashkëpunim multilateral që të mundemi.

Suedia nuk futet te shtetet kritike ndaj nismës së Ballkanit të Hapur, duke ju gëzuar ndërveprimit dhe bashkëpunimit rajonal.

Hastad: Ai është një proces më vete. Ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal është i mirë dhe BE është enkas për bashkëpunimin rajonal. Ne duam që të ketë dhe më tepër vende të bashkohen në bashkëpunimin rajonal dhe ka shumë potencial të punojmë në energjinë e rinovueshme ku Shqipëria mund të marrë rol udhëheqës, edhe më tepër se bëni se ju keni energji të rinovueshme, ju mund të krijoni bashkëpunim rajonal rreth garancisë së energjisë dhe kjo do ishte interesante të shohim sesi ndodh.Nuk do të doja të përmendja shtetet me radhë, të bëj komente për deklarartat e tyre. Suedia thotë që është mirë për bashkëpunimin rajonal dhe që më tepër shtetet të bashkëpunojnë.

EMISIONET