"Po ikin njerëz me biznes dhe të ardhura", Demalia: Nëse përpara politika përdorte krimin, sot krimi kontrollon politikën
Analisti, Ilir Demalia, e sheh me shqetësim ikjen e trurit nga Shqipëria dhe jo emigracionin në kërkim të kushteve më të mira ekonomike.
Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, Demalia duke ju referuar kontakteve të tij në atdhe thotë se njerëz me biznes dhe të ardhura të mira duan të lënë vendin i cili ka rënë në sundimin e një oligarkie kriminale.
Sipas tij nëse deri dje politika përdorte krimin, sot ky i fundit kontrollon politikën.
Demalia: Sot ajo që po ndodh në Shqipëri është se nuk po ikin më njerëz që nuk kanë zgjidhje për jetën, po ikin njerëz të kualifikuar, njerëz të arsimuar, njerez që kanë dhe biznese sepse nuk duan të jetojnë më në Shqipëri. Pse? Sepse Shqipëria tashmë qartazi është sunduar nga një oligarki kriminale dhe nga grupet kriminale. Vetë rasti i fundit i Martinaj tregon qartë se krimi është i lidhur me policinë, shtetin, politikën.
Kjo është vazhdimësi gjatë 30 vjetëve por nëse përpara politika e përdorte krimin tani krimi e ka në kontroll politikën sepse kanë shuma të mëdha parash dhe blejnë gjithçka. Nga bisedat me njerëz realë, kanë biznes dhe të ardhura të mira në Shqipëri dhe duan të largohen nga kërcënimi i grupeve kriminale, gjobat, shteti që të vjedh dhe takson pse je me opozitën apo nuk je me asnjë. E gjitha kjo e fut njeriun e ndershëm në një pasiguri jete.
Për Demalinë, nuk është përceptim por fakt real vrasja e shpresës.
Demalia: Vetë afera e incineratorëve nuk është korrupsion shtetëror por organizim i strukturuar kriminal dhe vazhdon. Tani luajnë ping-pong. Njeriu nuk ka shpresa dhe gjëja më e rëndë për njeriun është kur humb shpresën.
Demalia komentoi edhe këshillat e ministres së Energjisë Belinda Balluku për kursimin e energjisë.
Demalia: Administrata që ke sot është mediokre. Del Ministrja Balluku dhe thotë se duhet të kursejmë energjinë dhe për të larë rrobat. Këta ja kanë kaluar Enver Hoxhës. Çfarë janë këto budallallëqe në shekullin XXI? Për çfarë je shtet ti, me më tregu si të kursej energjinë me la rrobat? Ja kanë kaluar Leka Çukos.
Nga vjeshta politike thotë se nuk ka shumë pritshmëri. Madje parashikon një luftë të ashpër nëse nuk vihet në lëvizje drejtësia.
Demalia: Shtatori do vazhdojë një retorikë, luftë midis bandave. Banda që është në pushtet e Edi Ramës, banda e Ilir Metës dhe banda e Foltores së Sali Berishës. Këto do ti numërojnë aferat korruptive kriminale njëri-tjetrit, do ti numërojnë dhe dosjet që kanë pasur në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, do të jetë një luftë shumë e ashpër por në një luftë të tillë me një retorikë të tillë nëse drejtësia, institucionet, SPAK, gjyqësori nuk do veprojë e gjitha është kot. Bandat do ulen si janë ulur përpara dhe do bëjnë një marrëveshje, do ndajnë pjesët dhe populli do vazhdojë të iki.

