"Po falimentojmë", fermerët e Drenovicës thirrje bashkisë: Na sillni ujë për serrat, do ta paguajmë
Perimet në serrat e fermerëve të fshatit Drenovicë të Bashkisë Dimal po thahen për ujë.
Fermerët të cilët shohin prodhimet e tyre të shkatërrohen kanë dalë në protestë.
"Shiko çfarë fenomeni po më jep domatja mua, që unë kam investuar 5 milionë lekë," thotë fermeri.
Ata bëjnë apel për ndihmë urgjente për të shpëtuar ato të mbjella që kanë rezistuar deri më tani.
"Brenda mundësive na ndihmoni për arsye se po falimentoj," thotë fermeri.
"Kam 5 dynym serrë, i kam marrë lekët në bankë, ujë duam asgjë tjetër, nuk po kërkojë gjë nga shteti," thotë një fermere.
Thonë se janë të gatshëm të paguajnë për çdo litër ujë, vetëm dikush të ndërhyjë.
"Nuk jemi kundër të paguajmë lekët, i paguajmë sa të duan po thjesht të sjellin ujë," thotë fermeri.
Bashkia Dimal e drejtuar nga Juliana Memaj, sipas vetë banorëve nuk ka ofruar asnjë ndihmë pavarësisht thirrjes së dëshpëruar të tyre.
"Fola me atë të bashkisë dhe më tha ne s'kemi çfarë të bëjmë," tha një fermer.
"Unë lekët i kam derdhur në bashki, taksat e tokës, të rrugës, të gjelbërimit, të ndriçimit," thotë fermeri.
Fermerët e Drenovicës thonë se nëse për pak ditë nuk do të ketë ndërhyrje , falimentimi është i pashmangshëm.