PL: Rama po falimenton bujqësinë, taksa për tokat djerrë, lëvizje për të vjedhur tokat e fermerëve

Partia e Lirisë akuzon kryeministrin Edi Rama se po kërkon të grabisë tokat e fermerëve vendas për t’ia dhënë oligarkëve dhe klientëve të tij në qeveri. Petrit Vasili shprehet se vetë politikat e qeverisë, çmimet e larta dhe mungesa e subvencioneve po bëjnë që fermerët të braktisin vendin dhe tokat e tyre.

Partia e Lirisë ka denoncuar ashpër problematikat që vijojnë të kenë fermerët vendas duke akuzuar qeverinë se po kërkon ta falimentojë bujqësinë.

Deputeti i kësaj force politike, Petrit Vasili akuzoi këtë të dielë kryeministrin Edi Rama se kërkon t’u grabisë tokat fermerëve shqiptarë.

Sipas Vasilit, qëllimi i vetëm i Ramës është që me anë të ligjit të ri për të taksuar fermerët për tokat e papunuara, është që t’i grabisë ato dhe t’ia japë oligarkëve dhe bandës së klientëve të tij në qeveri.

Ai shprehet se Edi Ramës nuk ia ndjen për fermerët pasi vetë politikat e kryeministrit kanë bërë që këto fermerë të braktisin vendin dhe tokat e tyre, ndërsa u shpreh se nëse Rama do donte t’ia dinte për bujqësinë do të merrte shembull nga politikat e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe në këtë mënyrë asnjë dynym tokë nuk do të mbetej e papunuar.

Po ashtu, Vasili vlerëson se disa nga masat e marra nga qeveria që po çojnë në falimentimin e fermerëve janë TVSH-ja për plehrat kimike, ulja e normave të kompensimit te prodhuesit bujqësorë, çmimi tepër i lartë i naftës si dhe subvencionet tepër të ulëta që sa vijnë dhe po rrënojnë bujqësinë vendase.

Kryeministri ka organizuar disa takime me fermerët e vendit në kuadër të zgjedhjeve që do të mbahen në 14 maj të vitit të ardhshëm, ku sipas Vasilit këto takime janë për të përgatitur opinionin për grabitjet masive që do ti bëhen fermerëve

EMISIONET