Virozat mbushin spitalet, më të prekur fëmijët që frekuentojnë çerdhe e kopshte

Virozat e kësaj vjeshte po mbushin spitalet.

Mjekët pediatër po përballen ditët e fundit me numër të lartë pacientësh të vegjël të prekur nga virozat e stinës.

Ndër ta dominojnë fëmijët që frekuentojnë çerdhet e kopshtet.

"Diskordancat e temperaturës ka bërë që të shtohen shumë virozat. Ne jemi në një periudhë me numër të lartë të rasteve, vizitave, virozave. Kemi arritur në një numër relativisht të rritur të vizitave. Ato që paraqiten tek ne janë fëmijët e çerdheve, të kopshteve, shkollave dhe thuajse e gjithë mosha pediatrike," tha mjekja Sonila Brati.

Mjekja Sonila Brati thotë se temperatura e lartë është një prej simptomave më shqetësuese.

"Me temperatura të larta, infeksione të rrugëve të sipërme respiratore, të rrugëve të poshtëme që nga laringitet që janë mjaft prezente këtë periudhë, infeksionet urinare, bronktitet," tha ajo.

Për fat të mirë rastet me Covid javët e fundit edhe të fëmijët kanë qënë tepër të rralla.

"Fatmirësisht jemi në një situatë të qetë më Covid sa i përket fëmijëve këtë periudhë, ndryshe nga shtatori-tetori i vitit të kaluar. Kemi shumë pak raste, një-dy raste në muaj tek fëmijët. Sa i përket virozave jemi në një situatë tjetër krahasimisht me vitin e kaluar ku më shumë flisnim për Covid sesa për virozat e stinës," tha ajo.

Ekspertët e shëndetit kanë parashikuar se ky dimër do të jetë i ashpër sa i përket virozave dhe gript ndaj rekomandojnë kryerjen e vaksinave për të qënë më të mbrojtur.

EMISIONET