Personat me aftësi të kufizuar me vështirësi në transport, shkollim e punësim
Erblin Karaj gjithë jetën e tij ka qëndruar në një karrige me rrota dhe në ditën botërore për personat me aftësi të kufizuar ai tregon se sa të vështirë e ka të aksesojë qytetin e të punësohet. Ndërkohë përfaqësues të shoqatave thonë se shkollimi dhe punësimi janë dy nga shqetësimet kryesore për ta.
Rreth 170 000 persona me aftësi të kufizuar në të gjithë shqipërinë vuajnë ҫdo ditë mungesën e infrastrukturës dhe pëfshirjes në jetën sociale.
29 vjeҫari Erblin Karaj tregon se në Tiranë e ka të vështirë të lëvizë për shkak të gjendjes së rrugëve.
Kur bie shi e ka të pamundur lëvizjen dhe nuk mund të aksesojë as transportin publik.
“Është një motorr me bateri që unë e përdor, që shkoj në shkollë sepse në autobus e kam të pamundur. Në kohë me shi e kam të pamundur pasi dhe me ҫadër do lagem,” thotë ai.
Mjetin me të cilin lëviz, thotë se nuk do të mund ta blinte vet, pasi kushton shumë.
“Këto kushtojnë dhe në Shqipëri si këto nuk ka,” tha ai.
Për të e vështirë ka qenë edhe për tu punësuar, askush nuk ja ka hapur derën.
“Është e vështirë pasi në ҫdo vend që kam shkuar ose më kanë dhënë njoftimet, gjithmonë kam hasur probleme me përshtatshmërinë si një person me aftësi ndryshe, apo se nuk kanë kushte,” thotë ai.
Sot ai ndjek studimet për Informatikë, dhe ka zgjedhur një universitet privat, për shak të mungesës së kushteve në ato publike.
“Publiku ka pengesat, aksesueshmërinë ndërsa privati të them të drejtën ka akses dhe ndihem më mirë duke pasur parasysh që unë përdor një motor,” thotë ai.
Shpreson se pas përfundimit të studimeve do të mund të punësohet.
Megjithatë, sociologia dhe përfaqësuesja e fondacionit ”Pema e Jetës”, Marsida Simo thotë se ndër shqetësimet kryesore mbeten punësimi shkollimi i këtyre personave, e sidomos në periferi.
“Punësimi bëhet i vështirë për personat me aftësi të kufizuar, kanë lindur me këtë paaftësi që në shkollimin e tyre dhe me marrjen e këtyre aftësive që u duhen atyre në tregun e punës,” tha ajo.
Në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar, u kërkua që ҫdo projekt kolaudim i ndërtimeve të kenë edhe miratimin e personave me aftësi të veҫanta për tua bërë më të lehtë aksesimin.
Gjithashtu kërkohet edhe subvencionim dhe përjashtim nga taksat për këta persona të cilët kanë biznes dhe për këdo që bën bamirësi.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

