PD i përgjigjet Berishës: Sillet vërdallë në Shqipëri duke thënë gënjeshtra për Lulzim Bashën e familjen e tij

Sali Berisha ka lëshuar një akuzë të fortë ndaj Lulzim Bashës kur tha se Qeveria e ndërmori aksionin e mbylljes së lojërave të fatit për Lulzim Bashën, pasi bastet i kaluan një kompanie në Qipro që është 80% në pronësi të gruas së kreut të PD.
Partia Demokratike i është përgjigjur kësaj deklarate, duke e cilësuar ish-liderin Berisha gënjeshtar.
Në deklaratën e postuar në Facebook, PD shkruan se Berisha i braktisur nga demokratët po sillet vërdallë nëpër Shqipëri duke thënë çdo ditë gënjeshtra për Lulzim Bashën dhe familjen e tij.
Deklarata e plotë:
"I deklaruar non grata për korrupsion bashkë me familjen e tij, dhe i braktisur nga demokratët pas dhunës së 8 janarit, Sali Berisha po sillet vërdallë nëpër Shqipëri duke thënë çdo ditë gënjeshtra të reja për Lulzim Bashën dhe familjen e tij.
Për të dytën herë Sali Berisha, ky gënjeshtar ordiner, shpifi për bashkëshorten e kryetarit të PD. Ky është një mashtrim i ri nga njeriu që për hallin e tij dhunoi edhe shtëpinë e demokratëve dhe ishte gati të derdhë gjakun e tyre. Ky që për hallin e tij ka qenë gjithmonë gati t'i vërë zjarrin Shqipërisë. Por ai është vetëm një e shkuar e keqe për PD-në dhe gjithë shqiptarët, dhe emri i tij do mbahet mend si një non grata për korrupsion."

