PAMJE/ Alarm në Pogradec, përmbytjet e lumit të Verdovës kërcënojnë banesat dhe infrastrukturën

Lumi i Verdovës në Bashkinë e Pogradecit vijon të mbetet një nga problematikat më serioze dhe të pazgjidhura prej vitesh, ndërsa situata është përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit.
Në një deklaratë për mediat, drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë e Pogradecit, Nexhmi Torra, konfirmoi se përmbytjet kanë shkaktuar dëme të dukshme në toka bujqësore, në segmetin rrugor të unazës por edhe banesa, duke rritur shqetësimin për sigurinë e banorëve.
Sipas Torrës, bashkia ka hartuar prej kohësh një projekt të plotë për zgjidhjen përfundimtare të situatës, por mungesa e fondeve ka detyruar institucionin të kërkojë mbështetje nga qeveria dhe strukturat përkatëse.
Aktualisht, projekti ndodhet ende në fazën e aplikimit, ndërsa në terren po ndërhyhet vetëm me masa provizore.
Pas ankesave të disa familjeve, grupet e monitorimit janë angazhuar në zonë për vlerësimin e dëmeve dhe rrezikut.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me praninë e një shtylle të tensionit të lartë pranë zonës së përmbytur, e cila përbën rrezik serioz për banorët dhe kërkon ndërhyrje urgjente.
Drejtori i Emergjencave apeloi për bashkëpunim të menjëhershëm mes Bashkisë së Pogradecit, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe OSHEE-së, pasi situata aktuale rrezikon në çdo moment edhe bllokimin e rrugës, duke e kthyer lumin e Verdovës në një kërcënim real për jetën dhe infrastrukturën e zonës.
Në një përmbytje të ndodhur 8 vjet më parë në këtë lumë humbi jetën një grua nga fshati Vërdovë të cilën e mori rrjedha e lumit.

