Paditi ish-kreun e FA-ve për shpërdorim detyre, Meçollari pas daljes nga SPAK: Kam besim te drejtësia

Ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Bardhyl Kollçaku, është pyetur për mbi tri orë në SPAK, në lidhje me hetimet që kanë nisur për menaxhimin e pronave të ushtrisë dhe bazave detare në Sarandë dhe Shëngjin. Pas dëshmisë ai nuk dha detaje për median, ndërkohë që prokurorët kanë marrë në pyetje edhe denoncuesin e çështjes, Artur Meçollari, ish-zyrtar i lartë i ushtrisë.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku, aktualisht deputet i Partisë Socialiste është marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme për më shumë se tri orë.

Marrja e dëshmisë së tij u bë në të njëjtën kohë me paraqitjen në prokurori edhe të ish-gjeneralit të Forcave të Armatosura, Artur Meçollari, i cili ka denoncuar menaxhimin e pronave të ushtrisë.

Pasi qëndroi për 3 orë e 10 minuta në SPAK, deputeti Bardhyl Kollçaku, nuk preferoi të komentonte pse ishte thirrur dhe çfarë deklarimesh ka dhënë para hetuesve.

Ndërkohë deklarime në SPAK, ka dhënë edhe Artur Meçollari, i cili në vitin 2021, ka bërë dy kallëzime në SPAK për pronat ushtrisë në Bazën e Limionit në Sarandë, prej më shumë se 150 mijë m2, dhe një godinë të ngritur në Bazën Detare të Shëngjinit.

“I kam akuzuar për shpërdorim detyre. Kam besim te SPAK. Po të mos të kisha besim, s’do e bëja kallëzimin”, tha ai.

Për të parën, në kohën kur Olta Xhaçka ishte Ministre e Mbrojtjes, firmosi koncesionin për 99 vjet, për vetëm një euro në vit m2, nga dy kompani private.

Kallëzuesi ngriti pretendimet se janë bërë në shkelje të hapura, me qëllim përfitimin e paligjshëm.

SPAK ka mbledhur provat shkresore për këto prona ndërsa pjesë e veprimeve hetimore janë edhe dëshmitë e personave përgjegjës që kanë firmosur procedurat e ndjekura.

Burime jo zyrtare, thonë se në prokurori për të dhënë sqarime pritet të paraqitet edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

EMISIONET