Pabarazi në tendera, KLSH kallëzon në SPAK 10 punonjës të 'Shëndetësisë' dhe 7 të Portit të Durrësit

KLSH ka kallëzuar në prokurorinë e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ish drejtorin e përgjithshëm të autoritetit portual Durrës dhe gjashtë punonjës të tij.

KLSH e ka bërë këtë kallëzim ndaj tyre pas një auditi ku janë gjetur një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga këta persona.

Konkretisht bëhet fjalë për ish Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Përgjegjësi i Prokurimeve, dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialistë.

Po ashtu, KLSH ka kallëzuar në SPAK tetë punonjës të ministrisë së shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, institucioneve në varësi të saj dhe dy punonjës të ATRAKO.

KLSH bën me dije se janë evidentuar veprime të kundërligjshme të shtatë punonjësve, anëtarë të Kominisionit të Dhënies së Koncesionit/PPP veprime këto që bien në kundërshtim me detyrimet ligjore që i atribuohet këtij komisioni, si dhe me dispozitat ligjore që normojnë procedurën e koncesionit në fjalë.

KLSH: Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar të organeve të pushtetit qendror dhe vendor, ka ushtruar  auditim përputhshmërie dhe rregullshmërie në subjektin Autoriteti Portual Durrës (APD) për periudhën e veprimtarisë 01.07.2018- 31.12.2020. Konkretisht nga auditimi i kryer lidhur me procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence”, me objekt “Libri i tarifave” janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga ish Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Përgjegjësi i Prokurimeve, dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialist.

Veprimet e ish Titullarit të APD dhe punonjësve të tij janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë detyrën e tyre funksionale, si dhe rregullat e prokurimit publik, duke sjellë për pasojë keqpërdorim të fondeve publike. Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzimin penal që i atriubohet shtatë funksionarëve të Autoritetit Portual Durrës për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga neni 258 dhe 248 i Kodit Penal. 

Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë ushtrimit të auditimit financiar dhe i përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konstatuar shkelje të kryera nga ana e tetë funksionarëve  të MSHMS, institucioneve në varësi të saj, si dhe dy punonjës të ATRAKO, lidhur me procedurën për “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid”.

Nga auditimi i procedurës së koncesionit të lartëpermendur, janë evidentuar veprime të kundërligjshme të shtatë punonjësve, anëtarë të Kominisionit të Dhënies së Koncesionit/PPP veprime këto që bien në kundërshtim me detyrimet ligjore që i atribuohet këtij komisioni, si dhe me dispozitat ligjore që normojnë procedurën e koncesionit në fjalë.

Gjithashtu nga auditimi i procedurës së prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid” janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga tre punonjës, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me dispozitat ligjore për prokurimin publik, si dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës së anëtarit të KVO-së.

Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhjetë punonjës të lartëpërmendur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

EMISIONET