Operacioni i SPAK në Lezhë, Nano: Më keni në krah, nuk do tolerohet asnjë polic që bëhet palë me krimin
Nga Lezha ku disa efektivë janë arrestuar për bashkëpunim me grupet kriminale të drogës, drejtori i Policisë së Shtetit ka paralajmëruar të “Ashtuquajtur policët e pistë” se nuk do të tolerohen nën uniformën e shtetit. Luftë drogës, grupeve kriminale dhe respekt për qytearin ishin tre porositë e kryepolicit për vartësit në qarqet e nxehta me veprimtari kriminale.
Jo pa qëllim, drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, zgjodhi ditën kur në Lezhë po finalizohej një operacion i koordinuar nga SPAK për të prezantuar Oltion Bistrin në krye të strukturës vendore.
Në takimin me dyer të mbyllura, porosia e kryepolicit për vartësit ka qenë e e prerë.
Ndër vite efektivë të policisë kanë rezultuar të përfshirë në veprimtari kriminale, ndaj Nano u ka dhënë uniformave blu një paralajmërim të fortë.
“Lufta pa kompromis ndaj grupeve kriminale dhe toleranca zero ndaj kultivimit të bimëve narkotike janë prioritet dhe sfidë, ndaj së bashku me drejtorin e ri të angazhoheni për t’i dhënë një impuls të ri jo vetëm kësaj sfide, por gjithë prioriteteve që ka Policia e Shtetit.
Më keni në krah në punën tuaj për të arritur objektivat, por ju siguroj se nuk do të tolerohet asnjë punonjës policie që neglizhon detyrën apo më keq akoma, që bëhet palë me krimin. Respektoni qytetarët, shërbejuni atyre duke iu ofruar një shërbim sa më cilësor, zbatoni ligjin dhe vetëm ligjin dhe ju siguroj se do jem përherë suporti juaj.
Disa punonjës policie brenda strukturës nuk mund ta prishin imazhin e Policisë së Shtetit, duke zhbërë punën e mirë që është bërë deri tani, ashtu sikurse disa individë të tjerë nuk mund ta sfidojnë Policinë”.
Më herët kreu i policisë së Shtetit ishte në Shkodër ku pasi prezantoi Hamdi Fioren si drejtues vendor dhe u ka lënë tre porosi bluve në qarkun e nxehtë për ngjarje kriminale.
Pas ardhjes në krye të Strukturës së Policisë së Shtetit, Gledis Nano ndryshoi 12 krerët e policisë në qarqe duke i paralajmëruar se të gjithë do të jenë në provë.

